Protestë në SHFMU “Pavarësia”: Dy orët e para pa mësim për shkak të dhunës ndaj mësimdhënësve

Protestë në SHFMU “Pavarësia”: Dy orët e para pa mësim për shkak të dhunës ndaj mësimdhënësve

Aktuale February 09, 2026 - 22:16

Në ShFMU “Pavarësia” do të organizohet protestë më 10 shkurt 2026, duke sjellë ndërprerje të përkohshme të procesit mësimor në dy orët e para të ditës.

Sipas një deklarate të përbashkët për media nga Shoqata Sindikale e shkollës, Këshilli Drejtues dhe Këshilli i Prindërve, të gjithë mësimdhënësit do të jenë të pranishëm në shkollë nga ora 08:00, por mësimi nuk do të zhvillohet gjatë dy orëve të para, për shkak të mbajtjes së protestës, transmeton Zeri.info.

Procesi mësimor do të rifillojë normalisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt, ndërsa ndërrimi i pasdites do të zhvillojë mësimin pa ndërprerje.

Organizatorët bëjnë të ditur se protesta është reagim ndaj veprimeve delikuente të disa nxënësve në procesin edukativo-arsimor, përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve.

Sipas deklaratës, këto veprime po cenojnë rëndë autoritetin profesional, sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësve, si dhe po dëmtojnë seriozisht mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Ky nuk është një rast i izoluar, por një fenomen shqetësues që po shfaqet në shumë shkolla”, thuhet në reagim, ku theksohet se protesta synon ngritjen e zërit kundër këtij fenomeni dhe kërkesën për angazhim serioz institucional dhe shoqëror për parandalimin dhe trajtimin e tij me përgjegjësi.

Ndryshe sot në media është publikuar një video ku brenda ambientit të shkollës ka ndodhur një incident mes një mësimdhënësi dhe një nxënësi, ndërsa për Zërin, psikologu i shkollës Nazim Mahmuti, ka treguar versionin e tij se si ka ndodhur ngjarja në tërësi.

Ai ka thënë se kanë qenë gjithsej 10 nxënës të cilët e kanë sulmuar mësimdhënësin dhe se sipas tij, nxënësit e kanë zgjedhur pikërisht sallën e arsimtarëve, pasi që kjo sallë nuk ka kamera sigurie dhe se ata e kanë incizuar me telefon vetëm momentin e fundit kur arsimtari e godet nxënësin, raporton Zeri.info.

Sipas Mahmutit, nxënësit me inicialet A.O., mësimdhënësi nuk i jep mësim, e madje sipas tij, ky nxënës është nxënës ndaj të cilit janë marrë shumë masa disiplinore.