Sigurinë më të lartë në Ballkan, por ekonomi problematike - çfarë thotë raporti i “SecuriMeter” për Kosovën?
Foto: Laura Hasani

Sigurinë më të lartë në Ballkan, por ekonomi problematike - çfarë thotë raporti i “SecuriMeter” për Kosovën?

Aktuale February 08, 2026 - 11:13

Qytetarët e Kosovës raportojnë nivelin më të lartë të ndjenjës së sigurisë personale në Ballkanin Perëndimor, sipas raportit më të fundit SecuriMeter 2025, të publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Sondazhi, i realizuar nga 30 maji deri më 18 qershor 2025 me 6,007 të anketuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, tregon se 64.3 për qind e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt në jetën e përditshme, duke e renditur Kosovën në krye të rajonit për këtë tregues.Po ashtu, 58.4 për qind e të anketuarve në Kosovë e konsiderojnë vendin e tyre një vend të sigurt për të jetuar, një përqindje dukshëm më e lartë se mesatarja rajonale, ku vetëm 38.4 për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor ndajnë të njëjtin mendim për rajonin në tërësi.Sa i përket së ardhmes, 36.9 për qind e qytetarëve të Kosovës presin që situata e sigurisë në rajon të përmirësohet gjatë vitit të ardhshëm, duke reflektuar një nivel relativisht të lartë optimizmi krahasuar me vendet e tjera të rajonit.Në të njëjtën kohë, shqetësimet për skenarë si lufta apo konflikti civil mbeten më të ulëta në Kosovë sesa në disa vende fqinje, transmeton Telegrafi.Megjithatë, raporti vë në pah se problemet ekonomike janë shqetësimi kryesor i qytetarëve, si në Kosovë ashtu edhe në të gjithë rajonin.55.7 për qind e të anketuarve në të gjashtë vendet e Bllakanit e konsiderojnë koston e lartë të jetesës si sfidën më të madhe, ndërsa 52.8 për qind janë të shqetësuar për inflacionin dhe 52.4 për qind për nivelin e pensioneve.Në Kosovë, vetëm 29.1 për qind e qytetarëve shprehen të kënaqur me gjendjen ekonomike, ndërsa një pjesë e konsiderueshme raportojnë vështirësi në përballimin e shpenzimeve mujore, veçanërisht për shpenzime të paparashikuara, pushime apo aktivitete sociale.Raporti trajton edhe çështjen e migrimit, ku 27.3 për qind e qytetarëve në rajon shprehin dëshirë ose plane për t’u larguar jashtë vendit, kryesisht drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara.

Në Kosovë, megjithatë, 80.6 për qind e të anketuarve deklarojnë se nuk planifikojnë të largohen nga vendi, duke treguar një nivel më të lartë qëndrueshmërie krahasuar me rajonin.Sa i përket imigracionit, qëndrimet mbeten të ndara: 54.8 për qind e qytetarëve e shohin atë si përgjegjësi humanitare, ndërsa 43.4 për qind mendojnë se imigracioni mund të rrisë kriminalitetin.

Në aspektin institucional, besimi më i lartë në tërë vendet e rajonit vazhdon të jetë te institucionet e sigurisë, si policia dhe ushtria, ndërsa besimi te institucionet politike dhe mediat mbetet më i ulët.Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve shprehin skepticizëm ndaj paanshmërisë së mediave dhe mënyrës së informimit publik.

Raporti SecuriMeter 2025 përfundon se, ndonëse Kosova dallohet për ndjenjë më të lartë të sigurisë personale dhe optimizëm krahasuar me rajonin, sfidat ekonomike, kostoja e jetesës dhe besimi në institucione mbeten çështje kyçe që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.