Abazi konsideron se Kurti po e mban afër Osmanin për interesat e tij
Ish-zëvendëskryeministri, Haki Abazi ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit derisa theksoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti e mban afër presidenten Vjosa Osmani për interesa politike, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të përfundojë në një përplasje politike mes tyre. Ai gjithashtu vlerësoi se zvarritja e procesit mund ta çojë vendin drejt një krize institucionale dhe kushtetuese.
Së fundmi kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti para mediave tha se pasi të përfundohen proceset e tjera, do të zgjidhet edhe çështja e presidentit. Për këtë Abazi tha se nuk i beson Kurtit derisa e cilësoi si populizëm.
“Tani nuk është vetë Kurti e ka thënë që ‘mos më besoni’, se ka thënë kur kam qenë në opozitë kam thënë diçka tjetër, kur jam bërë kryeministër jam duke thënë diçka tjetër, kur dal në fushatë flas diçka tjetër. Domethënë, nëse po më pyetni a i besoni Kurtit se a bëhet presidente, unë nuk mund t’i besoj për asnjë gjë. Njeriu i demarkacionit, privatizimit, fondit sovran, bankës zhvillimore, njeriu i insistimit për gjetjen e njerëzve të zhdukur gjatë luftës me forcë nga Serbia—të gjitha këto janë kauza dhe premtime të dështuara. Dhe një gjë është e vetme që Kurti bën: popullizëm sa herë që flet në media”, tha ai.
Abazi konsideron se Kurti po e shfrytëzon Osmanin për interesa të tijat.
“Tani duhet ta kuptojmë drejt që unë nuk besoj fare në as intencën e as qëllimin e mirë të Kurtit për t’i bërë institucionet. Unë mendoj që e mban afër Vjosa Osmanin ose ka rikthyer afër pas një përplasje që ta ketë sa më afër për t’ia ngulur një thikë pas shpine. Do të thotë, thikë pas shpine Vjosa do e merr herët a vonë prej Kurtit në kundërshtim edhe formën e veprimit ndaj kundërshtarëve politikë. Edhe gjithashtu për pesë vite një gjë që e ka dëshmuar është që nuk është i interesuar të qeverisë. Sot jemi në kolaps energjetik, jemi në terr të plotë përkundër të gjitha paralajmërimeve që kemi bërë dhe asnjëherë nuk ka dhënë përgjigje. Përpara thoshte: ‘do t’i bëjmë bojlerat e mandej filterat’, tash nuk janë as bojlerat as filterat. Kurti është as bojler as filtër”, u shpreh ai.
Ai e cilëson popullizëm reagimet e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Domethënë ne kemi mbërritur në pikën kur duhet të presim me padurim nëse po ndodh një gjë e mirë në konsolidimin e institucioneve. Dje reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese ishte një indikacion i radhës që nuk do ta respektojnë dhe do të vazhdojnë me kryeneçësi tentimin për ta konsoliduar Kuvendin e Republikës duke bërë popullizëm, duke u ngritur kundër Listës Serbe dhe të nënkryetarit të Listës Serbe në Kuvend”, tha tutje ai.
E tjetër qëllim i Kurtit sipas Abazit është që të blejë kohë në mënyrë që të fundi të rezultojë me një krizë kushtetuese.
“Kjo për mua do të thotë që Kurti është duke blerë kohë për ta sjellë Kosovën në një krizë kushtetuese, sepse dy gjykatës të Gjykatës Kushtetuese ju mbaron mandati. Në një krizë financiare, për shkak se pa Kuvend nuk kemi buxhet dhe në një krizë presidenciale kushtetuese për shkak se do të jetë shumë e vështirë se si do të dalim nga kjo situatë kur i mbaron mandati presidentes Osmani, e që në orën 12:00 me 4 mars ne duhet të kemi president të ri ose duhet të shkojmë në zgjedhje”, theksoi ai.
Megjithëkëtë, Abazi përmend dy skenarë që sipas tij mund të zihen në mendjen e Kurtit.
“Ka të panjohura, siç kanë qenë këto pesë vitet e fundit të qeverisjes Kurti. Kjo është arsyeja pse njerëzit janë si të themi në një amulli të plotë, sepse s’ka transparencë fare, as nuk ka debat politik. Dhe nuk e besoj që Kurti mund të zgjedhë një president kushdo që të jetë ai ose ajo pa një marrëveshje politike me partitë opozitare për 81 deputetë siç kërkohen. Dhe tentimi për ta bërë një gjë të tillë pa marrëveshje politike ka dy skenarë: një shkuarja në zgjedhje ose dy thyerja e ndonjë nga partive politike opozitare që do të ishte fundi i pluralizmit politik sepse pranohet rregulli i imponimit pa marrëveshje politike dhe pa dialog politik, dhe kjo është vdekja e demokracisë”, potencoi ai.
A i bëri ftesë për marrëveshje AAK-së?, Abazi thotë se ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë nga Kurti derisa shtoi se mbështetja e AAK-së ndaj votimit të presidentit do të bëhet vetëm me dialog. “Jo, deri tani me sa unë jam i njoftuar nuk ka pasur asnjë diskutim në këtë drejtim. Kjo nuk mund të thuhet bllok. Nuk është pa dialog politik, pa marrëveshje politike, natyrisht që nuk është”, thotë ai.
Kandidimi i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj për president, Abazi tha se nuk e sheh një mundësi të tillë, pasi sipas tij partitë kanë interesat e veta.
“Është e qartë, nevojiten 30 nënshkrime për t’u bërë kandidat. AAK vetë nuk i ka 30 nënshkrime dhe unë nuk jam në gjendje sot t’ju them nëse do të ketë një nismë nga partitë opozitare kushtimisht thënë politike për ta nxjerrë një kandidat të përbashkët. Duke u bazuar nga e kaluara, nga viti i kaluar, nuk shoh një mundësi të tillë kur e gjithë opozita do të bëhet bashkë për një kandidat nga njëra nga partitë politike sepse secila i ka interesat e veta. Por unë shoh këtu vetëm një gjë që vullneti i Kurtit është që të shkojmë në zgjedhje, të vazhdojë trendin e degradimit të pluralizmit edhe demokracisë. Nuk shoh këtu vullnet politik të një mençurie, pjekurie politike për t’u ulur bashkë në tavolinë për të bërë dialogun edhe për të arritur marrëveshje politike”, shtoi ai./EO