Desivojca, fshati që hesht, rrugët dhe shtëpitë e zbrazura flasin vetë

Desivojca, fshati që hesht, rrugët dhe shtëpitë e zbrazura flasin vetë

Aktuale February 08, 2026 - 08:20

Braktisja e fshatrave, është fenomeni që më së shumti ndihet në zonat kufitare. Desivojca e Kamenicës, që dikur ka pasur rreth 1 mijë banorë, tash e një vit është zbrazur e tëra. Pavarësisht se ka resurse të bollshme natyrore, një potencial pa njerëz mbetet mundësi e humbur.Në shumë fshatra të Kosovës nuk ndihet më gumëzhima e jetës. Këtu sot nuk jeton askush. Zëri i fëmijëve ndihet rrallë e me mall. Shtëpi të mbyllura, shkollë dhe ambulancë jashtë funksionit, ndërkohë që rrugët presin hapa që nuk vijnë, pos atyre që ende nostalgjia i sjell në vendlindje për fundjavë.

Desivojca, fshat në Komunën e Kamenicës, është shndërruar në një fshat fantazmë. Këtu nuk jeton asnjë banor, ndërsa ata që jetuan deri para pak vitesh janë shpërngulur për kushte më të mira në mjedise urbane anembanë vendit, por edhe jashtë tij, në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore.

Ky fshat në vitin 1991 kishte 868 banorë. Në vitin 2011 vetëm 177, ndërsa vitin 2024 e priti me vetëm tetë banorë. Gjatë vitit të kaluar, i gjithë fshati mbeti pa njerëz. Shumica u larguan për punë, për shkollim dhe në kërkim të një jete më të mirë e më të sigurt, duke lënë pas shtëpi të mbyllura dhe tokë djerrinë.

Megjithatë, që të mos shuhet i tëri, ka edhe të tillë që nuk heqin dorë nga kjo anë.

“Fshati Desivojcë me rrethinë ka resurse natyrore, ka burime uji, ka të gjitha të mirat që i duhen blegtorisë, pyje dhe ofron të gjitha kushtet për jetë. Por në mungesë të investimeve nga Komuna, pra dorës së shtetit apo asaj komunale, gjendja ka ardhur deri këtu që të mos ketë asnjë banor”, tha Hysen Ibrahimi, banor lokal.

 

Potenciali pa njerëz mbetet mundësi e humbur. Mallin për vendlindjen e mban pezull largësia dhe koha. Ndërsa kthimi kërkon më shumë sesa dëshirë.

“E kam bërë një kohë në Austri, gati 20 vjet. Unë mendoj që Alpet tona janë shumë më të mira, por vetëm se duan punë më të përkushtuar. Edhe puna e bën të veten, e kthen nostalgjinë e mëhershme. Shkaku i krejt kësaj lidhet me rrugën. Rruga si të jetë në rregull, çdo send vjen ngadalë-ngadalë”, tha Baki Shkodra, mërgimtar nga Austria.

Sot ky fshat pa banorë, ndonëse duket i heshtur, nuk mbetet pa shpresë. Rivitalizimi i tij pret vizion institucional që ngërthen investime në infrastrukturë dhe mbështetje për ata që duan të kthehen.

Në një kohë kur kërkohet jetë ekologjike dhe zhvillim i qëndrueshëm, vende si ky mund të jenë përgjigjja. Megjithatë, pyetja mbetet: A do të thyhet kjo heshtje, apo do të zgjasë përgjithmonë?/RTK