Gjykimet për krimet e luftës – Vetëm në fillim të shkurtit dy verdikte dënuese, por asnjëri maksimal
Gjatë kësaj jave u shpallën dy vendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë për krime lufte, por në asnjërin prej tyre nuk u dha dënimi maksimal prej 15 vitesh burgim. Për rrjedhojë po kërkohet që në rastet kur vërtetohet pjesëmarrja e të akuzuarve në krimet e pretenduara, t’iu shqiptohet dënimi maksimal.
Në dy raste të ndara, Muhamet Alidemaj dhe Sërgjan Lazoviq, në javën e parë të muajit shkurt, morën verdiktin e gjyqësorit për akuzat për krime lufte.
Alidemajt iu ulë dënimi pas rigjykimit, nga 15 në 13 vite burgim.
Kurse për Lazoviq, Gjykata Themelore në Prishtinë, shqiptoi dënimin prej 12 vitesh e gjysmë burgim.
Në këto raste, kur Gjykata vërteton pjesëmarrjen e të akuzuarve në krimet e kryera gjatë luftës, po kërkohet që të aplikohet shqiptimi i dënimit maksimal.
“Duke pasur parasysh që Gjykata e ka vërtetuar se këta kanë qenë pjesëmarrës në masakrat e kryera në Kosovë ndaj civilëve shqiptarë, kanë vra gra, pleq e fëmijë, edhe duke pasë për bazë se çfarë krime kanë kryer, kanë qenë një strukturë e organizuar, me plan i kanë kryer këto krime, mendoj se dënimet jo që duhet me u ulë, por duhet të jepen dënimet maksimale në rastet e tilla”, thotë Xhevdet Qeriqi nga Shoqata e Invalidëve të Luftës.
As me 15 vite burgim, sa është maksimumi i dënimit për krime lufte, bazuar në legjislacionin që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së krimeve, shpeshherë të dëmtuarit e familjarët e tyre nuk pajtohen.
Kjo konsiderohet se vjen si pasojë e rëndesës që bartin me vete krimet e luftës.
“Bazuar në ndjeshmërinë, në kompleksitetin, shto faktin që ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, pavarësisht faktit që për sa i përket shkallës, përkatëisht lartësisë së dënimit, me të drejtë kjo çështje është e diskutueshme. Bazuar natyrisht në pasojat që bartin krimet e luftës, mirëpo siç dihet përmes legjislacionit dhe ndryshimeve legjislative në atë kohë, shkalla maksimale e dënimit është 15 vite. Prandaj, Gjykatat janë të detyruara t’i zbatojnë këto parametra”, thotë avokati Ardian Bajraktari.
Si të tilla, gjykimi i krimeve të luftës, vlerëson si tejet sfiduese për sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor.
“Është sfiduese në jo pak raste të krimeve të luftës përshkrimi faktik i veprimeve inkriminuese të të pandehurve, për shkak se edhe prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, mirëpo edhe Gjykata e shkallës së parë, si Gjykatë e faktit, duhet me pasë parasysh që me i përshkru në mënyrën më të hollësishme të mundshme në mënyrë që pastaj, natyrisht të mos ketë hapësirë për m’u ataku ose me u prish gjykimin”, thotë avokati.
Aktualisht, në departamentin special në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë duke u gjykuar edhe disa persona të tjerë për krime lufte, në prezencë dhe në mungesë. /tëvë1