Gjyqësori i Kosovës dhe institucionet turke thellojnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë
Përfaqësuesit më të lartë të sistemit gjyqësor të Kosovës po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Turqi, në kuadër të Programit Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e sundimit të ligjit.
Delegacioni përbëhet nga kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, si dhe drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi.
Gjatë qëndrimit në Ankara, delegacioni ka zhvilluar takime dhe vizita zyrtare në institucione të larta gjyqësore dhe ekzekutive të Turqisë, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Gjykatën e Kasacionit, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Shtetit.
Siç ka njoftuar Gjykata Supreme e Kosovës, përmes një komunikate për media, krerët e gjyqësorit kosovar, Rexhepi dhe Zogaj, janë pritur në takim nga kryetari i Gjykatës së Kasacionit të Turqisë, Omer Kerkez, me të cilin kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy sistemeve të drejtësisë, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin e përvojave profesionale.
Delegacioni kosovar ka zhvilluar takime të ndara edhe me zëvendësministrin e Drejtësisë Hurshit Yëldërëm, kryetarin e Akademisë së Drejtësisë së Turqisë Bekir Altun, zëvendëskryetarin e Gjykatës Kushtetuese Basri Bagci, zëvendëskryetarin e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial Fuzuli Aydogdu, kryetarin e Këshillit të Shtetit Zeki Yigit, si dhe presidentin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Abdullah Eren.
Sipas njoftimeve zyrtare, këto takime janë vlerësuar si mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për mbështetjen e projekteve të përbashkëta në fushën e sundimit të ligjit.
Në kuadër të kësaj vizite, në Turqi po qëndrojnë edhe gjyqtarët e rinj të gjeneratës së 13-të nga Kosova, të cilët po ndjekin Programin Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë, i organizuar nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë së Turqisë dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TëKA).
Ky program synon avancimin e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e drejtësisë. /Zëri