Javën e ardhshme gjykimi hyn në fazën e fjalës përfundimtare të palëve
Procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po i vjen fundi. Javën e ardhshme gjykimi hyn në fazën e fjalës përfundimtare të palëve, ku secila do t`i argumentojë qëndrimet e veta.
Nga 9 deri më 18 shkurt, në gjykatë do të nisin seancat me prokurorinë, trupin gjykues, mbrojtjen e në fund me fjalimet e katër të akuzuarve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Lirimin e tyre nga paraburgimi sa më parë e presin bashkëluftëtarët e tyre. Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se pavarësisht gjykimit të padrejtë, mbrojtja ka qenë shumë e fuqishme me dëshmitarët e saj.
“Presim që fjala përfundimtare do të jetë e prokurorëve, e avokatit të viktimave që s’ka pas fare, me 16 dhe 18 është fjala përfundimtare e presidentit dhe të tjerëve, bacit Jakup, Rexhepit dhe Kadrisë, presim nga mbrojtja e cila do të jetë ajo e cila besoj do të jetë e fuqishme që do ti mbroj të gjitha pikat e aktakuzës mbrojtja do ti hedh poshtë, kështu besojmë dhe të ardhmen, shpejtë, këtë vit maji apo mund të jetë para maji presim verdikt pozitiv për lirimin e tyre, unë e di që këta i kanë nga 20 minuta secili me fol, nuk mjaftojnë 20 minuta, por më mirë pak se hiç”, tha për RTK, Hysni Gucati, kryetar i OVL UÇK-së.
Sipas monitoruesve të procesit, epilogu i gjykimit është afër dhe bazuar në ato që janë thënë nga dëshmitarët e mbrojtjes, lirimi i katërshes do të ishte i duhuri.
“Prej procesit kemi parë një aktakuzë shumë të dobët qe përfaqësim shumë të dobët nga ana e prokurorisë, nëse masim dëshmitë ato që kanë qenë publike të mbrojtjes me të prokurorisë, dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë shumë më shumë kredibil që kanë pas shumë më shumë info për procesin për çka ka kaluar Republika e Kosovës, lajm i mirë është që kemi ardhur në fund dhe besoj në muajt në vazhdim mund ta dimë epilogun e gjithë këtij procesi”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD.
Se mbrojtja ka bërë punë të jashtëzakonshme, e thonë edhe njohësit e ligjit. Avokati Ardian Bajraktari thotë se prokuroria nuk ka arritur t'i dëshmojë pikat e aktakuzës.
“Sa i përket dëshmitarëve në theks të veçantë atyre të mbrojtjes e kemi thënë në krye të herës që dëshmitë e tyre kamë qenë jashtëzakonisht të besueshme, jashtëzakonisht relevante për procesin për çka natyrisht i ka bërë dëshmitar okular, dëshmitar të rëndësishëm dhe dua të besoj që trupi gjykues do ti marr në konsideratë këta dëshmitarë dhe për rrjedhojë në bindjen time elementet esenciale nuk kanë arrit me u argumentu është çështja e zinxhirit të hierarkisë komanduese”, tha Ardian Bajraktari, avokat.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Rexhepi ndodhen në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vjet. Derisa gjykimi ndaj tyre nisi në prill të 2023-s.