Hapet ekspozita me fotografi, që dokumentojnë krimet e kryera ndaj shqiptarëve në veri
Foto: Laura Hasani

Hapet ekspozita me fotografi, që dokumentojnë krimet e kryera ndaj shqiptarëve në veri

Aktuale February 04, 2026 - 13:15

Në 26-vjetorin e “Natës së Tmerrit”, Komuna e Mitrovicës së Jugut ka hapur një ekspozitë me fotografi, që dokumentojnë krimet e kryera ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit gjatë dhe pas luftës.

Në këtë aktivitet përkujtimor, kryetari i Komunës, Faton Peci, ka kërkuar që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë të veprojnë sa më shpejt ndaj, siç u shpreh ai, organizatorëve dhe protagonistëve të këtyre krimeve.

“Atëherë, në vazhdën e aktiviteteve në shënim të datës 3 dhe 4 shkurt, që njihet në Mitrovicë po besoj edhe në të gjitha trojet shqiptare si ‘Nata e Tmerrit’, ne po vazhdojmë me aktivitete që e pasqyrojnë gjithë pjesën e krimeve të llahtarshme që kanë ndodhur në Mitrovicë gjatë viteve ’90, gjatë luftës dhe pas luftës. Unë mendoj që institucionet e rendit dhe drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare duhet që sa më parë aktorët të cilët kanë qenë organizatorë dhe protagonistë të këtyre krimeve të llahtarshme, sa më parë të jenë para sistemit të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha ai.

Image

Ai tha se aktivitetet e shënimit të datave 3 dhe 4 shkurt po vazhdojnë për të pasqyruar, sipas tij, krimet e rënda të ndodhura në Mitrovicë në vitet ’90, gjatë luftës dhe pas saj, duke shtuar se autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

“Gjithë këto fotografi që ne i pamë në ekspozitë, në këtë ekspozitë, për shkak se për herë të parë kemi aktivitete të këtij niveli: nga pllaka, ekspozita, po edhe aktivitete të tjera me qytetarë shqiptarë në veri, në shtëpitë e tyre, po edhe në fund ndezja e qirinjve. Unë mendoj që çdoherë është obligim institucional, nga niveli komunal edhe niveli qendror – për çka tashmë e kanë dëshmu me angazhim – që qytetarët shqiptarë po edhe secila etni tjetër në veri të jetojë në rrethana të lira dhe normale. Thjesht të përkujtojmë këto krime në mënyrë që asnjëherë të mos harrojmë”, tha ai.

Peci tha se është obligim institucional, që si në nivel komunal ashtu edhe qendror – që qytetarët shqiptarë dhe të gjitha etnitë në veri të jetojnë të lirë dhe normalisht, ndërsa përkujtimi i këtyre krimeve, sipas tij, shërben që ato të mos harrohen kurrë.

“Edhe njëherë, sikurse edhe më parë që thashë, qytetarët shqiptarë në veri të Mitrovicës janë vrarë, plagosë dhe dëbuar duke realizuar planin famëkeq për spastrimin etnik të shqiptarëve në pjesën veriore, të cilët asnjëherë ne nuk duhet harrojmë se kanë qenë shumicë edhe para luftës në Kosovë. Kështu që krimi i realizum ndaj qytetarëve civilë, të pafajshëm, ndaj grave, fëmijëve, ndaj pleqve, po edhe secilit qytetar, duhet minimalisht të kujtohet e më pas nga mekanizmat e drejtësisë duhet ta japin verdiktin dhe përgjigjen e merituar”.

Image

Peci mundohet që rikthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre në veri, t’ia faturojë si sukses kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Unë di dhimbje prej kësaj perspektive që gjithë qytetarët shqiptarë të veriut, të cilët kanë qenë të detyruar që të shpërngulen nga pjesa veriore, një numër i konsiderueshëm i tyre kanë qenë të detyruar që të shesin pronat, banesat dhe shtëpitë e tyre. Sot kemi një trend totalisht ndryshe. Prej depërtimit edhe dëbimit të rreth 12 mijë qytetarëve, tash ka filluar procesi i rikthimit në shtëpitë, banesat dhe në pronat e tyre. Kjo për shkak të këmbëngulësisë, vizionit dhe patriotizmit të pashoq të Kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij”, tha ai.

Tutje ai tha se do të vazhdojnë që të oganizojën aktivitet edhe në të ardhmen në mënyrë që sakrifica e shqiptarëve për liri të mos harrohet.

Image

 “Ne si komunë këto aktivitete synojmë që vitet e ardhshme vetëm se të pasurohen. Jo vetëm që do të ketë përkujtim, por do të pasurohen me ngjarje dhe aktivitete të ndryshme të cilat e shënojnë sakrificën edhe gjakun e derdhur të shqiptarëve që e kanë paguar edhe pas çlirimit edhe prezencës së KFOR-it në veri, që fatkeqësisht në prezencën e tyre u realizuan këto krime. Kështu që jo vetëm që do t’i trajtojmë, po edhe familjarët, edhe secila familje e veriut do të trajtohet edhe nga komuna – flas për komunën të cilën e drejtojmë ne – po njëkohësisht në koordinim me qeverinë, sikurse ka qenë edhe procesi i rindërtimit të shtëpive. Ne do të vazhdojmë koordinimin dhe të gjitha kërkesat e tyre të cilat ata me të drejtë i adresojnë, do të gjejnë përkrahje edhe në komunë edhe në qeveri”, tha ai.

26 vjet më parë, "Rojat e urës" patën vrarë dhjetë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq. U plagosën edhe shumë të tjerë, teksa u dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.