Anashkalimi i mjekësisë familjare po mbingarkon QKUK-në
Anashkalimi i shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor nga qytetarët po e rrit ndjeshëm mbingarkesën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Shpesh, qytetarët, pa u paraqitur fillimisht në Qendrat e Mjekësisë Familjare apo në spitalet rajonale nëpër komuna, drejtohen direkt te klinikat e QKUK-së, duke krijuar tollovi dhe, në disa raste, duke penguar kujdesin e pacientëve që kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm.Mbingarkesa në Qendrën Klinike Universitare flet për një anashkalim të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor. Dhe e gjithë kjo ndikon edhe në cilësinë e shërbimeve.
Specialistë të mjekësisë familjare vazhdojnë të bëjnë thirrje duke theksuar se qendrat e mjekësisë familjare i kanë kapacitetet për një gamë të gjerë shërbimesh.
“Mjeku familjar është porta e parë dhe kontakti i parë i pacientëve për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Ofron parandalimin e sëmundjeve, ndërgjegjësimin dhe edukimin shëndetësor, trajton pacientët dhe ofron mjekim ndaj sëmundjeve, ndërhyrje edhe në raste kirurgjike, imunizim....”, thekon Arieta Pula, Specialiste e mjekësisë familjare.
Ndërkohë që drejtues të klinikave të Qendrës Universitare, vënë në pah se paraqitja e rasteve jourgjente nëpër klinika vështirëson punën në trajtimin e pacientëve që kanë nevojë të menjëhershme.
“Këtu duhet të vijnë rastet më të rënda kurse përballemi me situata ku pacientë me probleme jo urgjente për diçka të panevojshme kërkojnë trajtim në Emergjencë. Kjo na detyron shpesh të zhvendosim vëmendjen nga një rast i rëndë për të përfunduar sa më shpejt raste që nuk do të duhej të trajtoheshin në këtë spitale rajonale apo QKMF”, tha Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK.
Qendra e Emergjencës, në vazhdimësi u bën thirrje pacientëve që ta ndjekin rrugën e duhur të trajtimit, duke mos anashkaluar qendrat familjare, duke nënvizuar se vetëm rastet e domosdoshme të referohen në QKUK, për të shmangur mbingarkesën dhe për të garantuar trajtim cilësor për rastet urgjente./rtk