Magjistralja Prishtinë–Podujevë, rrezik për ngasësit dhe këmbësorët
Zgjerimi i kilometrave të parë të magjistrales Prishtinë–Podujevë, i nisur në vitin 2016 dhe me ndërhyrje punimesh dy vjet më vonë, ende mbetet i papërfunduar. Inxhinierët e komunikacionit vënë në pah një sërë mangësish, ndërkohë që vetëm gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar në këtë segment janë evidentuar rreth 140 aksidente, njëra prej të cilave me fatalitet.Magjistralja që lidh kryeqytetin me Podujevën, mbetet ende e papërfunduar. Inxhinierë të komunikacionit nënvizojnë mangësi të shumta në planifikimin urbanistik, e ndër to edhe rrethrrotullimin që nuk është në përputhje me shiritat rrugor.
“Rrethrrotullimin i cili nuk është në epiqendër të shiritave rrugor nga të dyja anët, kur të bëhen planifikimet e tilla rrethrrotullimi duhet të bëhet në mes të dy kahjeve të rrugëve sepse çdo veturë që vjen nga rruga duhet të ndalet apo ta bëjë një lakim të lehtë që duhet ta ulë shpejtësinë”, tha Lavdim Hamiti, inxhinier i komunikacionit.
Mungesa e trotuareve dhe e sinjalizimit, paraqet rrezik edhe për këmbësorët që frekuentojnë këtë segment rrugor.
“Telashe po na bon shumë se nuk guxojmë me i lanë fminë me shku vet në shkollë se s’ka trotuar edhe vozisin shpejt, jemi kon disa herë te komuna por asgjë nuk kanë ndërmarrë, aksidentet po ndodhin shpesh se këtu sipas policisë duhet me vozit deri në 20 në orë, amo këtu vozisin shumë shpejt, çdo mëngjes këtu të gjitha veturat janë mbi 100 në orë”, thekson Urim Lepaja.
Statistikat e policisë kanë evidentuar shumë aksidente në këtë magjistrale. Vetëm brenda një muaji evidencat flasin për 139 aksidente, njëra nga të cilat me fatalitet.
“Analiza e faktorëve të këtyre aksidenteve tek ne ka dalë të jetë infrastruktura e rrugës e cila është duke u punuar dhe ende nuk është lëshuar për qarkullim komplet dhe pritet sinjalizimi me shenja të trafikut …”, tha Kapiten Sylejman Halili, komandant i Njësisë Rajonale të Trafikut DPR – Prishtinë.
Se kur do të përmbyllen punimet përgjatë kësaj magjistraleje, që kanë filluar nga viti 2016, për të vazhduar më tej përgjatë vitit 2023 në segmente të caktuara, nuk ka përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës, pavarësisht përpjekjeve.
Kjo magjistrale mbetet sfidë, që pret përmirësimin e mangësive urbanistike, që do të ofrojnë siguri më të madhe, si për ngasësit ashtu edhe për këmbësorët./rtk