“Veprim politik dhe qëllim për krijimin e një krize të re” – kundërshtohet moscertifikimi i rezultateve për Listën Serbe
Të shtunën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thirri një mbledhje.
Në të, kishte vetëm një pikë në rend të ditës.
Ishte kjo shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Por, kjo nuk u bë për të gjitha partitë.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, dolën kundër miratimit të kandidatëve të Listës Serbe.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerësojnë se këtë të drejtë, nuk ia jep ligji KQZ-së.
“Vetë koncepti dhe fryma e ligjit përcakton detyrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që pas përfundimit të të gjitha fazave të numërimit dhe rinumërimit të të gjitha fazave të ankesave të shpallë rezultatet e të gjitha subjekteve politike që kanë fituar dhe kanë garuar në zgjedhjet parlamentare kurdo që ato janë mbajt. Prandaj ligji konsideroj se nuk i jep të drejtë KQZ-së që të diskriminojë ose ndaj procedurën e shpalljes së rezultateve enkas për një parti politike”, ka thënë Bugaqku.
Bugaqku thotë se këto veprime, po paralajmërojnë një krizë të re.
“Po e mendojnë krijimin e një krize të re duke përdorur metoda të njëjta sikurse vitin e kaluar duke ataku subjekte të caktuara politike ose kandidatura të caktuara, duke i atakuar në kuptimin e asaj si të padëshirueshëm për t’i mbajtur sa më larg institucioneve shtetërore, në mënyrë që ata qoftë ligjërisht qoftë edhe formalisht apo politikisht i fitojnë të drejtat e tyre sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, u shpreh tutje Bugaqku.
E njohësit e politikës, thonë së certifikimi i rezultatit është hapi i fundit.
“Efektin politik ende po e konsumojnë për pozicione të caktuara. Në gjykimin tim, faktori ndërkombëtar në instancë të fundit nuk ka edhe çka me thënë, kjo po dihet që e ka efektin politik, pasojat janë që do të kemi përjetim pasojash. Në gjykimin tim nuk ka qenë e drejtë për faktin që të gjitha fazat janë kalu dhe në fund është vetëm çështja e certifikimit”, u shpreh politoloku Maloku.
Lista Serbe, parti e cila mbështetet nga Beogradi, ka paraqitur tashmë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Ndërsa të martën, të shqetësuar për këtë janë shprehur nga Bashkimi Evropian./teve1