PZAP-i aprovon ankesën e Listës Serbe, refuzohen të Bekim Haxhiut dhe të tjerat
Paneli Zgjedhore për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e Listës Serbe, ndaj vendimit të KQZ-së për moscerfikimin e rezultatit të kandidatëve të Listës Serbe.
Në vendimin e publikuar nga PZAP thuhet se qëndrimi i KQZ-së nuk është i drejtë dhe se nuk pajtohet me një vendim të tillë.
“Paneli, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme LZP, nenin 101 paragrafi 16, nenin 106 paragrafi 3, nenin 111 të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe nenit 9 paragrafi 2 të Rregullores Zgjedhore Nr.13/2024 Rezultatet Zgjedhore. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nuk pajtohet me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mos shpalljen e rezultatit përfundimtar për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura me 28 Dhjetor 2025, për subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e saj. PZAP vlerëson se ky vendim është ë pajustifikuar dhe në kundërshtim te plote me dispozitat ligjore të sipër cekura, kjo për faktin se duke pas parasysh se kanë përfunduar të gjitha procedurat e numërimit dhe rinumërimit për të 3 gjitha subjektet politike, rezultati përfundimtar duhet të shpallet menjëherë dhe të përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore pa përjashtim. Çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor. Andaj ky vendim është ne kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu ne kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias”, thuhet nga PZAP.
Ky institucion ka refuzuar ankesat tjera, përfshirë edhe dy të Bekim Haxhiut, kandidat për deputet nga PDK.