Mustafa mohon pretendimet se kurdisi plan për ta rrëzuar Abdixhikun
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e quan “narrativë shumë të ulët” se ka qenë i përfshirë në çfarëdo përpjekjeje të pretenduar për minimin e pozitës së Abdixhikut si drejtues i LDK-së.
Krejt çështjet në lidhje me këtë parti, Mustafa thotë se i ka përcjellë në media dhe se s’ka qenë pjesë e asnjë “takimi apo tubimi” të LDK-së.
Për drejtimin e partisë, vazhdon të thotë, nuk ka mendim se “as motiv e interes të involvohem”.
“Është një narrativë shumë e ulët, pa asnjë argument por me qëllime të dëmshme. Unë nuk ia kam humbur zgjedhjet Abdixhikut, që të organizoj komplot ndaj tij. Ai ka humbur dhe më vjen keq sepse është LDK në pyetje. Ka dalë publikisht dhe e ka pranuar përgjegjësinë për humbjen, ka paralajmëruar dorëheqje dhe e ka thirrë Kuvendin. Këtë proces unë e kam përcjellë në televizor dhe në portale. Askund nuk jam kyçur, sepse në vitin 2021 jam dorëhequr nga të gjitha pozitat në LDK. Nga ajo kohë s’kam marrë pjesë në asnjë takim e as tubim të LDK-së. Le të dalë një delegat i këtij Kuvendi e të dëshmojë se unë kam kërkuar ta rrëzojë Abdixhikun apo të punojë kundër tij, atëherë unë përgjigjem”, tha Isa Mustafa për Nacionalen.
“Unë jam shprehur publikisht se dorëheqja është akt etik demokratik në kuptimin se rezultati krijon pasoja (pozitive apo negative) – sepse kështu kam vepruar vet. Unë nuk kam grup në LDK. Kam bashkëpunuar me të gjithë, me ata që më kanë dashtë e s’më kanë dashtë. Njoh kryetarë të degëve, të komunave, anëtarët e Kryesisë, njoh shumë veprimtar në terren sepse kam punuar me të gjithë. Asnjë në LDK s’është njeri i imi, por me shumicën dërmuese kam punuar, disa kam promovuar në pozita, dhe gëzoj respekt reciprok. S’kam asnjë motiv dhe interes të involvohem në çështjet se kush do ta drejtojë partinë. Jam i interesuar maksimalisht që LDK të forcohet, të fitojë. Këtë interesim s’ma ndalë asnjë prej këtyre mjeranave që projektojnë komplote dhe prodhojnë armiq. Merren me vetveten, s’kanë guxim të bëjnë opozitë”, tha Mustafa.
Për emrin e përvetshëm të Lumir Abdixhiku, Mustafa rikujton se vetë ai në 2017 e kishte sjellë në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me LDK-në në qeverinë “Kurti 1” ishte bërë ministër.
“Dhe dëshiroj të sqaroj se unë e kam sjellë Lumirin në LDK më 2017. Ka fituar për deputet, është bërë ministër nga LDK në qeverinë Kurti 1. Pasi kam dhënë dorëheqje nuk e kam propozuar asnjë kandidat për kryetar. Kam vlerësuar se propozimin e bëjnë ata që vazhdojnë punën. Ai dhe Lutfi Haziri kanë garuar me vullnetin e tyre – nuk ka qenë komplot kundër meje. Edhe tani ka të drejtë të garojë kush të dojë me vullnetin e tij. Për mua është e rëndësishme LDK-ja. As Abdixhiku, as Hoti. Ata dhe të tjerët i nënshtrohen interesave të LDK-së. Jo, LDK interesave të tyre”, tha Mustafa.