Arta Bajralija emërohet nënkryetare e Komunës së Kamenicës
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka emëruar ish-deputeten Arta Bajralija në postin e nënkryetares së Komunës.
Me rastin e emërimit, kryetari Rahimaj ka vlerësuar përvojën e saj politike dhe qytetare, duke theksuar se profesionalizmi, energjia dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë që Bajralija ka dëshmuar ndër vite do të jenë një vlerë e shtuar për qeverisjen lokale dhe realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve të Kamenicës.
“Arta Bajralija do të jetë Nënkryetarja e Komunës sonë. Arta vjen në këtë përgjegjësi me një përvojë të pasur politike dhe qytetare. Angazhimi i saj i hershëm si aktiviste e përkushtuar në Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe përvoja e fituar si deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, janë dëshmi e qartë e përkushtimit të saj ndaj interesit publik dhe qeverisjes së ndershme”, ka deklaruar Rahimaj.
Ai ka shtuar se në mandatin e dytë do të vazhdojnë punën e nisur me fokus në projekte konkrete dhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, duke theksuar se ky mandat paraqet një mundësi për ta çuar komunën përpara me më shumë energji, bashkëpunim dhe përkushtim.
Në fund, kryetari Rahimaj i ka uruar Artës punë të mbarë dhe suksese në ushtrimin e kësaj detyre të rëndësishme në shërbim të Komunës së Kamenicës.