A mund të vazhdojë puna e Kuvendit pa votimin e nënkryetarit nga komuniteti serb?, sqaron avokati Bajraktari
Avokati, Ardian Bajraktari ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se zgjedhja e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, në legjislaturën e kaluar, nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Bajraktari është pyetur nëse Kuvendi mund të vazhdojë punën në rast se nuk votohet nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese ka sqaruar qartë që nga viti 2014 momentin kur Kuvendi konsiderohet i konstituuar, duke nënvizuar se pa zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, procesi i themelimit të institucioneve nuk mund të konsiderohet i përmbyllur.
“Gjykata Kushtetuese, që nga aktgjykimi i vitit 2014, ka përcaktuar qartë se kur konsiderohet Kuvendi i konstituuar. Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe vetëm atëherë mund të konsiderohet se është përmbyllur ky stad i themelimit të institucioneve dhe të kalohet në fazën tjetër,” ka thënë ai në Tëvë1.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e kaluar, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Kushtetuesja tha se drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij minoritet.
“Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, u tha në aktgjykimin e Kushtetueses.