Kryeprokurori dhe dy drejtues të lartë nisin vizitën zyrtare në Washington
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës Blerim Isufaj, drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës Sami Istrefi dhe prokurori special Naim Abazi, me ftesë të institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nisin vizitën zyrtare në Washington, ku do të marrin pjesë në aktivitete zyrtare dhe do të zhvillojnë takime të rëndësishme.
Gjatë qëndrimit të tyre në SHBA, do të marrin pjesë në ceremonitë e organizuara me rastin e Lutjeve të Mëngjesit (National Prayer Breakfast), një ngjarje tradicionale me karakter institucional dhe ndërkombëtar, e cila mbledh përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore nga vende të ndryshme.
Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë amerikanë, ku pritet të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit profesional dhe krijimin e partneriteteve ndërshtetërore, në funksion të rritjes së efikasitetit në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave përkatëse, si dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.