“Edhe kur ju quajnë mercenarë e ju sulmojnë, ju vazhdoni” - Murtezaj vlerëson gazetarët dhe punën e tyre
Foto: Laura Hasani

“Edhe kur ju quajnë mercenarë e ju sulmojnë, ju vazhdoni” - Murtezaj vlerëson gazetarët dhe punën e tyre

Aktuale February 02, 2026 - 12:16

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj ka shprehur falënderimet e tij për gazetarët, fotografët, operatorët e kamerave, producentët, redaktorët dhe çdo anëtar të medias për punën e tyre të përditshme.

Në një postim Murtezaj tha se gazetarët punojnë shpesh në kushte të vështira vetëm për t’i dhënë publikut informacionin që meriton.

“Dua të ju them: Faleminderit. Ju punoni çdo ditë, shpesh apo dhe zakonisht në kushte të vështira, të pakëndshme ose nganjëherë madje të rrezikshme. E bëni këtë për të bërë pyetjet që duhet bërë, për t’i mbajtur pushtetet dhe politikanët përgjegjës për përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve, për t’i dhënë publikut informacionin që meriton”, ka shkruar Murtezaj.

Ai shtoi se pavarësisht që politikanët i vendosin në armiqësi dhe i sulmojnë, gazetarët vazhdojnë të bëjnë punën e tyre.

“Ju duroni orë të gjata, ndryshime në sekondën dhe minutën e fundit, dhe shpesh dëgjoni përgjigje të përsëritura dhe fjalë pa kuptim apo dhe gënjeshtra. Politikanët ju vendosin në armiqësi, dhe ndonjëherë me sulme të hapura madje ju quajnë edhe mercenarë. Dhe megjithatë ju vazhdoni të vini, vazhdoni të përpiqeni të merrni informacione dhe qartësi për t’i informuar të tjerët”, u shpreh anëtari i LDK-së.

Murtezaj theksoi se “nga ajo që kam parë përgjatë shumë viteve durimi juaj është i jashtëzakonshëm. Kjo këmbëngulje juaj është e rëndësishme”.

Ai theksoi se gazetaria mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme që e ndihmojnë lirinë dhe demokracinë në vend.

“Por një gjë duhet ta keni të qartë, puna juaj, edhe kur kritikohet ose kur nuk vlerësohet sa duhet, ajo mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme që e ndihmojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë. Faleminderit”, shkroi Murtezaj.