Pajisja me lejeqëndrim, shqiptarët jashtë territorit të Kosovës thonë se presin me orë
Foto: Zëri

Pajisja me lejeqëndrim, shqiptarët jashtë territorit të Kosovës thonë se presin me orë

Aktuale February 01, 2026 - 21:16

Pajisja me lejeqëndrim në Kosovë po merr orë të tëra shqiptarëve të cilët vijnë nga vendet fqinje por jetojnë në Kosovë. Pajisja me dokumente po është mjaftë e mundimshme për ta. Sipas ish-drejtorit të emigracionit në Kosovë, ligjet në Kosovë parasheh trajtim të njëjtë për të gjithë qytetarët që janë shtetas të huaj.

Prej më shumë se një ore është duke pritur këtu. Nazmie Kadriut e cila vjen nga Presheva, tash e disa vite i duhet të paraqitet tek Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht në Divizionin për të huajt.

Këtë pritje Kadriu e bënë që të pajisjet me leje të qëndrimit në Kosovë, në mënyre që t’i lejohet jetesa në Ferizaj ku edhe është e martuar.

Gjitha këto procedurat për pajisje me këtë dokumentacion po janë të mundimshme për këtë grua nga Presheva.

“Vallahi e lodhshme boll, kallaballëk, me u shty nuk po mundesh me u shty me njerëzit, se këta kanë ardhur para meje e po me duhet me prit”, thotë ajo për Teve1.

E bashkë me Kadriu këtu po presin edhe shumë shtetas të huaj.

Madje disa qytetarë duke mos dashur të flasin para kamerës, kanë treguar se pritjet janë të gjata meqenëse ne pranimi i dokumenteve është duke u bërë nga vetëm një zyrtare .

Televizioni ka dërguar pyetje tek Ministria e Punëve të Brendshme rreth pritjeve të gjata, por gjatë javës nuk ka marrë përgjigje.

Ish-drejtori i drejtorisë për emigracion, Refki Morina, ka treguar rregullat e qëndrimit për shtetasit e huaj.

“Rregullat janë të përgjithshme për të gjithë shtetasit e huaj, aty nuk përcaktohen baza nacionale por përcaktohet që shtetasi i huaj ka të drejtë në Kosovë 90 ditë dhe pas 90 ditëve duhet të aplikojë për leje qëndrim të përkohshëm, si student si punëtor ose në forma të tjera që merret me ndonjë aktivitet, të gjithë duhet të nënshtrohen ligjit për të huajit”, tregon Morina.

Sipas tij ligjet aktuale, nuk ofrojnë asnjë lehtësi shtesë për shqiptarët të cilët jetojnë jashtë territorit të Kosovës.

“Në bazë të këtij ligji asnjë lehtësi nuk ka, shtetas i huaj është ai shtetas i cili ka shtetasin e një shteti tjetër është i përcaktuar me rregulla prandaj asnjë lehtësi nuk mund të jepet asnjë qytetari në raport me këtë ligj”, thotë Morina.

Të martën, Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar materiale informuese lidhur me kriteret që të huajt duhet të përmbushin dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë me rastin e parashtrimit të kërkesës për pajisje me lejeqëndrim të përkohshëm apo lejeqëndrim të përhershëm.