Pas 8 orësh, hapet për qarkullim aksi Elbasan-Qafë Thanë

Pas 8 orësh, hapet për qarkullim aksi Elbasan-Qafë Thanë

Aktuale February 01, 2026 - 19:40

Aksi Elbasan-Qafë Thanë është hapur për qarkullimin e mjeteve, pas disa orësh bllokim të shkaktuar nga rrëshqitjet e dherave dhe gurëve në segmentin Librazhd-Qafë Thanë. Policia Rrugore, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, po menaxhon trafikun dhe po orienton drejtuesit e automjeteve për të garantuar mbarëvajtjen e qarkullimit.

Situata ka qenë problematike gjatë gjithë ditës, pasi bllokimi i plotë i rrugës në të dyja senset krijoi radhë kilometrike automjetesh, që sipas raportimeve për A2 CNN, kaluan mbi 20 kilometra.

Edhe gjatë ndërhyrjes për pastrimin e rrugës janë regjistruar shembje të tjera, duke vështirësuar ndjeshëm punën e mjeteve dhe zgjatur kohën e zhbllokimit.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë udhëzimet e shërbimeve në terren dhe të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, për shkak të rrezikut nga rrëshqitje të tjera.