Banorët e Zabelit të Ulët ankohen për mungesë intervenimi pas vërshimeve, komuna thotë se po vlerësohen dëmet
Pas vërshimeve në Komunën e Drenasit, disa banorë vazhdojnë të përballen me vështirësi, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet komunale. Njëri nga ta është Fadil Saliuki nga fshati Zabel i Ulët, i cili thotë se ura që lidh shtëpinë e tij me pjesën tjetër të fshatit është dëmtuar nga uji dhe ende nuk është riparuar, ndërkohë që nga Komuna e Drenasit thonë se ekipet kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe janë në përgatitje të raportit përfundimtar.
Fadil Saliuki nga fshati Zabel i Ulët tha se ende komuna nuk ka intervenuar në urën të cilën ja kishte marrë uji.
“Komunën e kam thirrë, i kam thënë, i kam bë me dije, po, po, po, s’ka asgjë. Kërkesën e kam bë, mirëpo ata një foto e kanë marrë, i dytë tjetër send kurrgjë s’ka prej komunës. Qe fotoja, këtu kjo letra që e kam dorëzu kërkesën, nuk ka absolut asgjë deri tash”, tha ai.
Saliuki përmendi edhe vështirësitë që po has ai dhe familja e tij nga ura e improvizuar.
“Po, vallahi, bile me t’kallzu drejtën një herë u konë ma ngushtë, e zgjeru bile një herë kam rënë te ky rrethi po me i thy hundët, kam rënë në ujë. Djemtë kanë ra dy-tre herë, fëmijët, me fëmijë është problem, gratë, të sëmurë me pasë zoti na ruajt, nuk bën hiç se nuk ke qysh, po shihni edhe vetë, gazepin. Po, kjo urë na duhet, pa këtë urë na nuk mundemi as me hy, as me dalë, as asgjë”, theksoi ai.
Saliuki pati edhe një thirrje ndaj kryetarit të Drenasit.
“I kisha bërë thirrje drejtpërdrejt kryetarit të komunës, një urë. Kushdo tjetër send nuk duam, një urë me hy e me dalë lirë, fëmijët, gratë, burrat, krejt me dalë lirë. Po vallahi, kemi shumë problem me fëmijë, me gra është shumë problem, shumë shumë problem”, tha ai.
Ndërkaq drejtori i Shërbimeve Publike dhe i Emergjencave në Drenas, Nexhmedin Gruda për Ekonomia Online tha se grupet punuese kanë dalë në vlerësim të dëmeve.
“Po, jemi në javën e katërt pas vërshimeve, do të thotë edhe ne kemi komunikuar më herët për rrjedhën se si kanë ndodhur. Mirëpo është java e tretë të cilat grupet punuese kanë dalë në vlerësim të dëmeve të cilat janë shkaktuar. Ne si komunë kemi arritur t’i krijojmë katër ekipe të vlerësimit: Njëri ekip ka bërë vlerësimin e dëmeve të ekonomive familjare, ekipi tjetër është marrë me vlerësimin e dëmeve nga bujqësia, kemi ekipin tjetër që është marrë me vlerësimin e dëmeve në biznese, Si dhe një ekip që ka bërë vlerësimin e dëmeve infrastrukturore të cilat janë dëmtuar”, tha ai.
Gruda tha se janë adresuar 249 kërkesa për kompensim të dëmeve dhe se sipas tij kompensimi bëhet pasi që të miratohet raporti përfundimtar.
“Prej ditës së parë, domethënë të vërshimeve, komuna ka dalë me njoftim që të vijnë qytetarët dhe të bëjnë kërkesat për vlerësimin e dëmeve në një afat prej 10 ditësh, ku deri në ato momente brenda 10 ditëve kanë arritur diku 249 kërkesa për vlerësim të dëmeve, të cilat pastaj i kemi klasifikuar në bazë të natyrës së tyre. Ekipet kanë dalë në terren, veç kanë përfunduar të gjitha vlerësimet dhe janë në përpilim të raportit përfundimtar, i cili raport nxjerr edhe vlerën ose shumën e dëmeve nga këto vërshime, e cila nuk do të jetë e vogël. Pastaj do të vazhdohet me procedurën tjetër ku ai raport do të shkojë për miratim në kuvendin komunal dhe do të përcillet te komisioni qendror në Prishtinë, të cilët edhe e kanë për obligim për me bë pagesat e dëmeve, pasi që komuna nuk ka ndonjë fond emergjent. Kompensimi varet prej qeverisë, mirëpo raporti besoj që brenda javës së ardhshme do të jetë i gatshëm dhe do të procesohet në kuvend, ku pastaj do të kalojë në qeveri dhe mbetet në natyrën e tyre se kur ata mund t’i procesojnë më shpejt”, theksoi ai.
Drejtori potencoi se deri më tani janë rehabilituar disa ura.
“Po, sigurisht Drejtoria e Shërbimeve Publike prej momentit kur ka filluar të tërhiqet uji, vazhdimisht ka qenë në terren në monitorim të gjendjes. Deri më tani kemi arritur që katër ura t’i rehabilitojmë, po ashtu edhe në dy vende, të cilat në rast se vijnë përmbytje të ardhshme të ketë qarkullim uji më lehtë. Po ashtu kemi bërë edhe rehabilitimin e rrugëve që janë dëmtuar me zhavorr, diku në gjashtë fshatra, në total diku prej 12 rrugëve të cilat janë rehabilituar”, nënvizoi Gruda.
Gruda përmendi edhe ne ndihmën e donatorëve.
“Gjatë kësaj periudhe ne vazhdimisht me ekipet tjetër jemi duke u marrë tu ju bë vizita familjeve të cilat veç janë të dëmtuara. Unë tash erdha nga vizita që e bëmë në katër familje së bashku me donatorët, të cilët po e shohin gjendjen edhe po ndihmojnë me mundësitë e tyre. Kryesisht donatorët po na sjellin deri më tani pako ushqimore, pako higjienike, ujë po sjellin, mirëpo kohëve të fundit jemi tu u interesu që të bëjnë edhe ose të na sjellin edhe mjetet të cilat mundësojnë ose materialet të cilat mundësojnë edhe rregullimin e shtëpive, pasi që shtëpitë të cilat i ka prekur uji i ka kapur lagështia dhe myku që është krijuar në to tash don trajtim ose largim nga ato vende”, tha Gruda.
Sa i përket dëmeve, Gruda tha se dëmet kanë përfshirë ekonomitë familjare dhe infrastrukturën.
“Numri më i madh është te ekonomitë familjare, mirëpo edhe në infrastrukturë është një dëm i madh. Tek ne është dëmtuar mjaft shumë, veç ka filluar në mënyrë vertikale të bjerë edhe ura që është për fshatin Shtrubullovë, të cilën ne si Drejtori e Shërbimeve Publike e kemi siguruar dhe i kemi udhëzuar qytetarët që të kalojnë në një rrugë tjetër ose në një urë tjetër. Ajo për momentin është jashtë funksionit, mirëpo Drejtoria e Infrastrukturës është tu i marrë të gjitha masat që të vijë në funksionalitet sa më shpejt që është e mundur”, shtoi drejtori.
Më 6 janar reshjet e dendura të shiut shkaktuan dëme materiale dhe ekonomike në komunën e Drenasit./EO