Policët nuk paguhen për të gjitha orët shtesë të dhjetorit, Thesari s’ka boll para
Foto: Laura Hasani

Policët nuk paguhen për të gjitha orët shtesë të dhjetorit, Thesari s’ka boll para

Aktuale January 30, 2026 - 16:05

Pagesat për kompensimet e dhjetorit dhe për një pjesë të orëve jashtë orarit të rregullt gjatë muajit të kaluar, disa njësi të Policisë së Kosovës, nuk do t’i marrin, raporton Klankosova.tv

Siç merr vesh klankosova.tv, Thesari nuk ka bërë ekzekutimin e plotë të këtyre pagesave me arsyen se nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

Konkretisht, policët do të paguhen për punën jashtë orarit deri në 32 orë, ndërsa për pjesën tjetër nga bilanci i orëve shtesë nuk do të marrin asnjë cent, thonë të njëjtat burime.

Po ashtu, në njoftimin që tashmë kanë marrë shefat e njësive, është bërë e diture se nuk ka pagesa as për kompensimet e zyrtarëve për ditët e pushimeve të pashfrytëzuara, zyrtarët e pensionuar, ata që përfshihen në ndalesa të suspendimeve dhe raste të tjera.

Kujtojmë se plot zyrtarë policorë kanë dhjetëra orë që kanë punuar jashtë orarit të tyre, të angazhuar në raste të ndryshme.

Kjo çështje është diskutuar shumë herë në publik, pasi edhe më herët shtesat e policëve nuk janë paguar, ndërsa shteti vazhdimisht është krekosur me sukseset e këtij institucioni.

Klankosova.tv ka dërguar edhe pyetje në Policinë e Kosovës dhe posa të ketë një përgjigje zyrtare, do të ju mbajë të informuar.