Gruda: Ligjëratat e Gjykatës Speciale në shkolla, rrezik për rishkrimin e historisë së Kosovës
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, shprehu sot shqetësimin e thellë të partisë së tij lidhur me ligjëratat e mbajtura nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj në shkollat e Kosovës.
Në një konferencë për media, Gruda tha se materialet e prezantuara para nxënësve të mitur përmbajnë pretendime të njëanshme, duke etiketuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Ai e konsideroi këtë “skandaloze dhe të papranueshme”.
“Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, po u paraqiten mesazhe që deformojnë kujtesën kolektive dhe rrezikojnë indoktrinimin e tyre,” tha Gruda, duke shtuar se kjo tregon një devijim të misionit të Gjykatës Speciale nga detyra e saj fillestare për zbardhjen e së vërtetës.
Deputeti paralajmëroi se lufta çlirimtare e Kosovës po sulmohet jo vetëm në sallat e Gjykatës në Hagë, por edhe në bankat e shkollave. Ai theksoi shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë dhe përpjekjet për rishkrimin e historisë.
PDK-ja kërkoi sqarim urgjent nga Ministria e Arsimit lidhur me përgjegjësitë për këto ligjërata dhe mënyrën se si ato lejohen pa mbikëqyrje institucionale dhe standard profesional.
Në përmbyllje, Gruda njoftoi se marshi i paralajmëruar për 17 shkurt me moton “Drejtësi, jo politikë” është një reagim i natyrshëm ndaj fazës përfundimtare të procesit në Hagë, duke përsëritur qëndrimin e PDK-së në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së dhe historisë çlirimtare të Kosovës.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë pjesë e historisë sonë të lavdishme. Ata nuk janë fajtorë për asnjë krim. PDK qëndron fuqishëm në mbrojtje të tyre, UÇK-së dhe së vërtetës për Kosovën,” përfundoi Gruda. /Zëri