Departamenti i Shtetit i SHBA-së vlerëson sukseset e Shërbimit Korrektues të Kosovës

Departamenti i Shtetit i SHBA-së vlerëson sukseset e Shërbimit Korrektues të Kosovës

Aktuale January 30, 2026 - 09:16

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vlerësuar progresin dhe sukseset e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) gjatë një takimi të mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Siç ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës, drejtori i këtij institucioni, Ismail Dibrani, ka pritur në takim Kyle Conahan, zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së nga Zyra për Kundërterrorizëm, me të cilin diskutoi për zhvillimet, të arriturat dhe sukseset e institucionit korrektues, si në nivel vendor, ashtu edhe ndërkombëtar.

Sipas njoftimit, në fokus të veçantë të takimit ishte roli dhe avancimi i Njësisë së Inteligjencës së SHKK-së, e cila është vlerësuar si një komponent kyç në forcimin e sigurisë dhe parandalimin e rreziqeve të sigurisë, përfshirë edhe ekstremizmin e dhunshëm.

Dibrani shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se falë përkrahjes së tyre, në veçanti të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Shërbimi Korrektues i Kosovës është shndërruar në një institucion lider në rajon, si për nga standardet e trajtimit të të burgosurve, ashtu edhe për nga niveli i sigurisë.

Në takim u diskutua gjithashtu për çështjet e kundërterrorizmit, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe nevojën për forcimin e mëtejshëm të mekanizmave të sigurisë në vend. /Zëri