Deputetja britanike kërkon të takojë paqeruajtësit që shpëtuan dy vajza shqiptare në Kosovë më 1999

Deputetja britanike kërkon të takojë paqeruajtësit që shpëtuan dy vajza shqiptare në Kosovë më 1999

Aktuale January 29, 2026 - 22:31

Katër paqeruajtës britanikë u shndërruan në simbol humanizmi dhe guximi në ditët e para të pasluftës në Kosovë, menjëherë pas nënshkrimit të dorëzimit të forcave serbe në qershor të vitit 1999.

Bëhet fjalë për Lain Laidlaw, Martin Calder, John Potts dhe Gary Robertson, të cilët vetëm një ditë pas mbërritjes në Kosovë, më 16 qershor 1999, shpëtuan dy vajza të reja shqiptare që ishin kapur nga paramilitarë serbë dhe po përgatiteshin të dhunoheshin seksualisht para familjarëve të tyre.

Për këtë akt heroik, gazeta britanike The Mirror i kishte cilësuar ata si “heronj”, duke e bërë publik rastin vetëm një ditë pas ndërhyrjes së tyre vendimtare.Pas më shumë se dy dekadash, kjo ngjarje është rikthyer sërish në vëmendje.Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka bërë thirrje publike për t’i gjetur dhe për t’u takuar personalisht këta katër ish-paqeruajtës.

“Ju lutem ndani: A keni shërbyer në Kosovë në vitin 1999? Po përpiqem të gjej zotërinjtë e mëposhtëm që shpëtuan dy gra të reja në Kosovë”, ka shkruar Kearns në thirrjen e saj.Gjatë luftës së viteve 1998–1999, mbi 13 mijë civilë shqiptarë u vranë, rreth 20 mijë gra dhe burra u dhunuan seksualisht, ndërsa mbi 1,600 persona vazhdojnë të figurojnë ende të zhdukur.

Rasti i shpëtimit të dy vajzave shqiptare nga paqeruajtësit britanikë mbetet një nga shembujt më të fuqishëm të ndërhyrjes humanitare dhe të rolit që forcat ndërkombëtare luajtën në mbrojtjen e civilëve në ditët më të errëta të historisë së Kosovës.