Shala takohet me përfaqësues të Kryqit të Kuq të Kosovës, flasin për situatën pas vërshimeve në Drenas
Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, ka pritur sot në takim përfaqësues të Kryqit të Kuq të Kosovës dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua për situatën e krijuar pas vërshimeve të fundit në Komunën e Drenasit, të ndodhura në fillim të këtij viti, pasojat e shkaktuara, bashkëpunimin ndërinstitucional, dhe sfidat me të cilat është përballur Komuna dhe qytetarët e saj.
Nënkryetari Shala i informoi përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në mënyrë të detajuar lidhur me dëmet e shkaktuara nga vërshimet, ndërprerjen e furnizimit me ujë gjatë asaj periudhe si dhe pritjet që kësaj radhe të kompensohen dëmet nga niveli qendror për dëmet e pësuara për dallim nga vërshimet e kaluara.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Kryqit të Kuq falënderoi Nënkryetarin Shala për pritjen dhe takimin, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe duke ofruar mbështetje për tejkalimin e kësaj situate. Ai theksoi se Kryqi i Kuq do të angazhohet edhe në ditët në vijim për të ndihmuar familjet e prekura nga vërshimet me pako emergjente dhe pas vlerësimit të situatës do të shqyrtojë zgjerimin e opsioneve tjera për ndihmë.
Pas takimit, delegacioni së bashku me përfaqësuesit komunalë dolën në terren për të parë nga afër gjendjen e familjeve dhe shtëpive të prekura nga vërshimet.