Osmani takohet me të ngarkuarën me punë të SHBA-së, Anu Prattipati
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit bilateral dhe zhvillimet aktuale në vend.
Siç njofton Presidenca, gjatë takimit, u bisedua për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për rolin e Kosovës në përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale.
Në njoftim thuhet se Osmani theksoi se linjëzimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë një vendim i drejtë dhe strategjik, duke nënvizuar se Kosova mbetet një partnere e besueshme e SHBA-ve në arenën ndërkombëtare.
Ajo shprehu besimin në lidershipin e Presidentit Donald Trump dhe ritheksoi gatishmërinë e Kosovës për të dhënë kontribut konkret, të përgjegjshëm dhe aktiv në iniciativat globale për paqe dhe siguri.
Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit bilateral, si dhe për agjendën ndërkombëtare të Presidentes në muajt në vijim. /Zëri