IKSHPK-ja fillon testimin e avancuar për zbulimin e tuberkulozit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se ka filluar ofrimin e testimit laboratorik QuantiFERON-TB Gold Plus (QFT-Plus), një metodë moderne dhe e avancuar për identifikimin e infeksionit me Mycobacterium tuberculosis.
Ky test diagnostik in vitro bazohet në analizën e gjakut dhe mat përgjigjen imunitare qelizore ndaj baktereve të tuberkulozit përmes detektimit të gama-interferonit (IFN-γ). QFT-Plus përdoret për:
Identifikimin e infeksionit latent me tuberkuloz;
Mbështetje diagnostike për rastet e dyshuara me tuberkuloz.
Përparësitë e testit QuantiFERON-TB Gold Plus:
Nuk ndikohet nga vaksinimi BCG;
Kërkon vetëm një vizitë për marrjen e mostrës së gjakut;
Ofron specifikë dhe ndjeshmëri të lartë diagnostike.
Testimi kryhet ekskluzivisht në Laboratorin Referent Nacional të Tuberkulozës në IKSHPK, sipas indikacioneve klinike dhe me referim nga mjeku përkatës. Interpretimi i rezultateve bëhet në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare dhe gjithmonë duke marrë parasysh kontekstin klinik të pacientit.
IKSHPK-ja mbetet e përkushtuar në përmirësimin e shërbimeve laboratorike dhe forcimin e kapaciteteve diagnostike për parandalimin dhe kontrollin e tuberkulozit në Kosovë. /Zëri