I shpëtohet jeta 37-vjeçares në Spitalin e Mitrovicës pas ndërhyrjes emergjente

I shpëtohet jeta 37-vjeçares në Spitalin e Mitrovicës pas ndërhyrjes emergjente

Aktuale January 28, 2026 - 12:19

Një rast i rrallë dhe jashtëzakonisht i rëndë mjekësor është menaxhuar me sukses në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku është shpëtuar jeta e një pacienteje 37-vjeçare.

Pacientja B. Sh. (1988) është pranuar në gjendje kritike shëndetësore, me parametra vitalë minimalë, vetëdije të çrregulluar dhe shenja të theksuara të shokut hemorragjik si pasojë e humbjes masive të gjakut.

Pas vlerësimit të menjëhershëm klinik nga stafi i Shërbimit Emergjent, si dhe ekzaminimeve laboratorike dhe ultrasonografike, është diagnostikuar një shtatzëni ektopine cornuale – një formë e rrallë e shtatzënisë jashtë mitrës, që përbën vetëm 2–4 për qind të rasteve – e shoqëruar me gjakderdhje masive dhe rrezik të lartë për jetën.

Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe të koordinuar të ekipit emergjent, në bashkëpunim me repartet e Kirurgjisë, Gjinekologjisë, Anestezionit dhe Transfuzionit të Gjakut, u mor vendimi jetik për kryerjen e një laparotomie urgjente. Ndërhyrja u realizua me sukses dhe rezultoi vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes.

Në ekipin kujdestar ishin të përfshirë: Dr. Mirjeta Binakaj, specialiste e emergjencës; infermierët Valdete Maliqi, Saranda Rexha, Basri Grepi dhe Musa Peci; specialistët e gjinekologjisë Dr. Arben Hajrizi, Dr. Vjollca Çitaku dhe Dr. Lindita Uka-Musaj; kirurgia kujdestare, anesteziologu Dr. Arber Bardhaj; teknikët e anestezionit Musa Kurti dhe Selvet Haziri, si dhe instrumentaret Nurgji Çuni dhe Liridona Peci.

Ky rast përbën një shembull të shkëlqyer të reagimit emergjent, përkushtimit profesional dhe bashkëpunimit multidisiplinar, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetin e stafit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës për menaxhimin e rasteve më të rënda dhe komplekse, në shërbim të jetës./Zëri