Gjendja nën kontroll në komunën e Vitisë pas reshjeve të shiut

Gjendja nën kontroll në komunën e Vitisë pas reshjeve të shiut

Aktuale January 27, 2026 - 12:49

Pas reshjeve të pandërprera të shiut gjatë natës, gjendja në komunën e Vitisë paraqitet stabile.

Komuna ka njoftuar se të gjitha rrugët janë të kalueshme, por autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga pjesëmarrësit në komunikacion, pasi në disa segmente rrugore është vërejtur prani e ujit, veçanërisht në fshatin Ramnishtë dhe në rrugën Skifteraj–Radivojc.

U.d. i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Naser Haziri, njofton se Njësia e Zjarrfikësve ndodhet në terren dhe, në bashkëpunim me stafin e kësaj drejtorie, po intervenon vazhdimisht për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes.

Haziri shton se është intervenuar edhe në rrugën Viti–Letnicë, ku për shkak të reshjeve kishte ardhur deri te shembja e dheut. Pas ndërhyrjes së shpejtë, rruga për momentin është e qarkullueshme.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat ku ka prani të ujit në rrugë, ndërsa ekipet kompetente mbeten në gatishmëri për çdo nevojë eventuale. /Zëri