Behrami i prerë: PDK-ja nuk e voton asnjë kandidat për president pa marrëveshje politike
Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme e të cilat akoma nuk janë certifikuar për shkak të dallavereve me vota, çështja jetike për vendin është zgjedhja e presidentit ose presidentes së ardhshme të Kosovës.
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike i Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka thënë se subjekti politik të cilit i takon nuk do ta votojë asnjë kandidat për president pa një marrëveshje paraprake politike.
Ai në një intervistë për emisionin “Destinim” në “Radio Prishtina” theksoi se Albin Kurtin, si fitues të këtyre zgjedhjeve, nuk e pengon asgjë që të fillojë takimet e bisedimet me partitë politike rreth gjetjes së zgjidhjes së zgjedhjes së presidentit ose presidentes së ardhshme.
“Partia Demokratike e ka tashmë qëndrimin e qartë që pa marrëveshje politike ne nuk e votojmë asnjë kandidat për president të Republikës së Kosovës. Pra jemi kundër imponimit të emrave, kundër diktatit, atë që e kemi parë tash e pesë vjet. Zotëri Kurti, si fitues i këtyre zgjedhjeve, duhet të thërrasë të gjitha partitë politike dhe përmes një dialogu dhe kompromisit të gjithë së bashku duhet ta gjejmë një figurë, e cila e përfaqëson unitetin e popullit të Kosovës, interesat e popullit të Kosovës dhe kjo është vetëm rruga të cilën duhet me e ndjek. Dhe për këtë nuk ka nevojë të pritet rinumërimi, nuk ka nevojë të pritet krijimi i qeverisë. Zotëri Kurti sot mundet me i ftua partitë politike edhe me bisedua për këtë temë, e cila është temë shumë jetike dhe për të cilën nuk kemi edhe shumë kohë, sepse edhe dialogu, edhe kompromisi, edhe konsensusi e do atë kohën e vet, që ai mundet me i thirr sot partitë politike. Por vetë fakti që nuk i thërret, vetë fakti që nuk flet për këtë temë, ai duket se ka në mendjen e tij plane tjera për të imponuar ndonjë kandidat, për të imponuar ndonjë emër, për të imponuar dominim, diktat, dhe unë besoj që për PDK-në, kjo është e papranueshme”, tha Behrami.
Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente e vendit më 4 prill të vitit 2021, pra në prill i skadon mandati si presidente dhe sipas ligjit, presidenti i ri duhet të zgjidhet një muaj para skadimit të mandatit, pra nëse në muajin mars nuk zgjidhet presidenti i ri, atëherë vendi automatikisht shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Dhe mbajtja edhe e një palë zgjedhjeve të reja do ta vinte Kosovën në vështirësi shumë të mëdha, e sidomos financiare, pasi vetëm vitin që sapo lamë pas janë mbajtur dy palë zgjedhje parlamentare si dhe ato lokale, duke përfshirë edhe balotazhin në më shumë se gjysmën e komunave.
Si zgjidhet presidenti i vendit?
Kushtetuta e Kosovës, sipas Nenit 86, e përcakton procedurën për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës: Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
- Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
- Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për president të Republikës së Kosovës, nëse siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president të Republikës së Kosovës.
- Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
- Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet president i Republikës së Kosovës.
- Nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh. /Zëri