Kurti diskuton procesin zgjedhor dhe prioritetet qeveritare me ambasadorët e Suedisë dhe Britanisë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim të përbashkët me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë takimit u diskutuan çështje aktuale politike, përmbyllja e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit dhe hapat drejt formimit të institucioneve të reja, si dhe prioritetet e qeverisë së ardhshme. Palët biseduan edhe për bashkëpunimin bilateral dhe fushat me interes të përbashkët.
Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, pa diskriminim dhe pa privilegje, për të gjithë qytetarët dhe komunitetet. Ai vuri në pah rëndësinë e rritjes së vazhdueshme ekonomike, progresit shoqëror dhe avancimit demokratik.
Po ashtu, Kurti riafirmoi angazhimin për paqe dhe siguri, me rend publik funksional, kufij të mbrojtur, si dhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke e cilësuar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë si thelbësore në këtë rrugëtim. /Zëri