Haradinaj: UÇPMB-ja simbol i rezistencës dhe përkushtimit për liri
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) mbetet dëshmi e pathyeshmërisë së shqiptarëve për të mbrojtur vendin dhe qenësinë e tyre.
Në shënimin e 26-vjetorit të daljes publike të UÇPMB-së, Haradinaj ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në një tubim përkujtimor në “Kullën e Bashkimit”, ku ishte i pranishëm edhe komandanti i UÇPMB-së, Shefket Musliu së bashku me shumë ish-bashkëluftëtarë.
“Sot, në këtë datë të shënuar, pata nderin t’i bashkohem komandant Shefket Musliut në ‘Kullën e Bashkimit’, në mesin e shumë bashkëluftëtarëve”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka bërë të ditur se në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe gjenerali Lahi Brahimaj, i cili, sipas Haradinajt, në këtë ditë shënon edhe ditëlindjen e tij.
Haradinaj ka theksuar se shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë vazhdojnë të ruajnë gjallë idealin për liri dhe përkushtimin për realizimin e të drejtave të tyre, duke jetuar dhe vepruar në tokat e stërgjyshërve të tyre.
“Jemi bashkë në betimin për të mbrojtur të drejtat e patjetërsueshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka përfunduar Haradinaj.