Vengu: Kam ftuar Serbinë të na bashkohet në marrëveshjen me Kosovën dhe Kroacinë

Vengu: Kam ftuar Serbinë të na bashkohet në marrëveshjen me Kosovën dhe Kroacinë

Aktuale January 26, 2026 - 13:33
Vengu: Nuk i marrim leje askujt se me kë bashkëpunojmë

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nuk kanë nevojë t’i marrin leje askujt për të nënshkruar marrëveshjen në fushën e mbrojtjes, kjo pasi u pyet lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për këtë marrëveshje.

Vengu tregoi se ftesa për këtë marrëveshje i ishte bërë edhe Serbisë.

“Patjetër kam vënë re herë pas here një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd. Mund t’ju them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë t’i bashkohet kësaj iniciative. Jua merr mendja që nuk kam marrë një përgjigje për sa i përket kësaj ftese. Mund t’ju them që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik arsimor, por edhe të prodhimit ushtarak, të bashkëpunojnë”, tha Vengu.

Ai tregoi dy qëllimet pse bien dakord me Kosovën.

“Me Kosovën kemi dakordësi për sa i përket mjeteve të blinduara. Dhe kjo vjen për dy arsye: E para sepse lexojmë rreziqe dhe kërcënime në rajon të njëmendje. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, kanë nevojë të marrin leje për saj i përket kësaj pjese. E treta: mikpresim edhe vende të tjera të na bashkohen. Është partneritet i hapur. Shumëkush e quan marrëveshje të mbrojtjes. Kemi vënë re që të tria vendet kanë nevoja të ngjashme për sa i përket rritjes së kapaciteteve”, theksoi ai. /eo