KQZ-ja ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit 2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shkatërruar materialin zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 2025-s.
KQZ-ja në një përgjigje për EO-në tha se në këtë proces janë përjashtuar materialet e vendvotimeve, të cilat po i hetojnë Prokuroria e Shtetit dhe gjykatat.
“Me qëllim të zbatimit të ligjit, KQZ-ja, brenda afatit ligjor, ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale 2025. Nga ky proces janë përjashtuar materialet e vendvotimeve, të cilat, Prokuroria e Shtetit dhe gjykatat, janë duke i trajtuar. Gjithashtu, siç parashihet me ligj, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale 2025, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe pas vendosjes nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme për ankesat e kandidatëve dhe subjekteve”, thuhet në përgjigje.
Ndërkohë që kandidati i pavarur për Kuvendin Komunal të Ferizajt, Bashkim Fazliu, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesë në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar zgjerim të hetimeve dhe masa të jashtëzakonshme verifikuese lidhur me procesin zgjedhor, përfshirë edhe mundësinë e rinumërimit të votave.
Fazliu ngriti edhe dyshime lidhur me asgjësimin e fletëvotimeve, duke thënë se sipas tij nuk ka gjetur njoftim zyrtar nga KQZ-ja.
“Para se me fillua kam hulumtuar faqen e KQ-së, askund nuk kam parë një njoftim zyrtar nga KQZ-ja që janë asgjësuar fletëvotimet. Unë dëgjova që janë asgjësua, por nuk ka diçka zyrtare”, tha ai.