AUV-i tërheq nga tregu qumështin “Aptamil AR 2”

AUV-i tërheq nga tregu qumështin “Aptamil AR 2”

Aktuale January 26, 2026 - 10:23

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka tërhequr nga tregu formulën ushqimore për foshnja “Aptamil AR 2”.

Kjo pasi thuhet se është identifikuar prania e substancës Cereulide.

“Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit, APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi, ENG 24 x 400 gr, prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone), importues në Kosovë: UNION SH.P.K., Vushtrri”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

AUV-i u ka bërë thirrje konsumatorëve që e posedojnë këtë produkt, të mos e përdorin atë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes.

Njoftimi i plotë i AUV-it, pa ndërhyrje:

AUV-i njofton për tërheqjen nga tregu të produktit ushqimor për foshnja APTAMIL

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës njofton opinionin publik se, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar njoftimin me nr. 2026.0598, lidhur me produktin ushqimor për foshnje APTAMIL dhe në një seri të këtij produkti, i cili përdoret për qëllime të veçanta mjekësore, është identifikuar prania e substancës Cereulide, dhe është kërkuar tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu.

Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit, APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi, ENG 24 x 400 gr. Prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone), importues në Kosovë: UNION SH.P.K., Vushtrri.

AUV-i u bën thirrje konsumatorëve që posedojnë këtë produkt të mos e përdorin atë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës.