Kryeprokurori që po heton “dallaveret me vota” është djali i dëshmorit Alush Kryeziu
Kryeprokurori i Prizrenit Petrit Kryeziu, i njohur për qëndrimin e tij të vendosur në trajtimin e rasteve, po qëndron në qendër të vëmendjes si njeriu që po heton rastet e dyshuara për manipulim të votave.
Ai është djali i dëshmorit Alush Kryeziu, një figurë e njohur dhe e respektuar për sakrificën e tij në luftë, dhe kjo lidhje familjare ka ngjallur interes në publik.
Për shumë qytetarë, kjo lidhje përkthehet si një trashëgimi e angazhimit për drejtësi dhe e sakrificës së familjes, shkruan Zeri.info.
Petrit Kryeziu u bë i njohur me trajtimin e disa rasteve në rajonin e Prizrenit, ndërsa këto ditë ka udhëhequr aksionin ndaj 109 të arrestuarve, si të dyshuar për manipulim me votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Kujtojmë se, më 19 Prill të vitit 1992 në përballje me policinë famëkeqe serbosllave, kishte rënë heroikisht komandanti i njësitit gueril “003”, Alush Kryeziu. Ai iu kishte rënë në sy të spiunëve, dhe në mesnatën e asaj date, në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit, atij i vihet prita dhe pas shpine qëllohet, duke mos i mbijetuar plagëve vdekjeprurëse, pasi kishte qëndruar gjatë i plagosur dhe pa ndihmë. /Zëri
