Kurti takon këshilltarin për Siguri Kombëtare të kryeministrit të Britanisë së Madhe
Në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u takua me Jonathan Powellin, këshilltar për Sigurinë Kombëtare të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit palët diskutuan për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, planet dhe projektet për mandatin e ardhshëm qeverisës, si dhe për progresin demokratik dhe rritjen ekonomike në Kosovë. Po ashtu, në fokus të bisedimeve ishin edhe çështjet e sigurisë rajonale.
Kurti theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga aleatët më të ngushtë të Republikës së Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve.
Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të kryeministrit Kurti në Forumin Ekonomik Botëror, ku liderë botërorë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare diskutojnë zhvillimet globale politike, ekonomike dhe të sigurisë. /Zëri