YIHR-ja reagon rreth ligjëratave për Specialen në shkolla: Aktivitete të tilla zhvillohen që nga viti 2018

YIHR-ja reagon rreth ligjëratave për Specialen në shkolla: Aktivitete të tilla zhvillohen që nga viti 2018

Aktuale January 23, 2026 - 13:45

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) ka sqaruar se sesioni informues i mbajtur në shkollën “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor, duke theksuar se aktivitete të tilla zhvillohen rregullisht që nga viti 2018.

Sipas YIHR KS, këto sesione organizohen me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës dhe në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si pjesë e programit të organizatës për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën, transmeton Zeri.info.

Gjatë sesionit në fjalë, nxënësve u është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, përfshirë mandatin dhe kompetencat e tyre, si institucion i Republikës së Kosovës.

YIHR KS ka rikujtuar se prej më shumë se 20 vitesh nga themelimi, organizata ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme me fokus në të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën si dhe fuqizimin e të rinjve dhe të rejave në Kosovë.

Tutje, organizata ka theksuar se sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit afatgjatë të YIHR KS për të kontribuuar në promovimin e drejtësisë tranzicionale, duke shtuar se do të vazhdojë punën dhe aktivizmin në këtë fushë edhe në të ardhmen. /Zëri