Takimi në Bruksel, Sorenseni: Një hap drejt sqarimit të fatit të të zhdukurve
Përfaqësuesi i veçantë i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, konfirmoi se gjatë ditës së djeshme është mbajtur takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, në përputhje me deklaratën e arritur mes liderëve në maj të vitit 2023.
“Objektivi i Komisionit të Përbashkët është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila synon të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përfshirë personat e zhdukur me forcë, të sigurojë mbyllje për familjet e tyre dhe të nxisë pajtimin dhe paqen e qëndrueshme”, ka nënvizuar Sorenseni në deklaratën e lëshuar për shtyp.
Komisioni i Përbashkët, sipas tij, do të mbështesë përpjekjet e Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, të kryesuar nga Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, duke lehtësuar aktivitetet zbatuese të palëve, zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe duke shqyrtuar progresin.
Sipas dakordimit, Lehtësuesi i BE-së, Kosova, Serbia ose Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit e Kuq mund t’i referojnë Komisionit të Përbashkët çdo çështje që lidhet me zbatimin apo interpretimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, si dhe çdo çështje të diskutueshme që lind brenda Grupit të Punës, duke përfshirë çështjen e rishikimit dhe përditësimit të Termave të Referencës dhe Kornizës së Përgjithshme të Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, të kryesuar nga Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, nëse ky i fundit nuk arrin konsensus për këtë çështje.
Shtohet gjithashtu se Komisioni i Përbashkët do të diskutojë çështjet brenda mandatit të tij, sipas Termave të Referencës të dakorduara.
“BE-ja i kushton shumë vëmendje faktit që Komisioni i Përbashkët do të japë një kontribut të rëndësishëm në sqarimin e fatit të të zhdukurve dhe në ndihmën për mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat kanë pritur shumë gjatë për përgjigje”, ka porositur Peter Sorensen.
Takimi i 22 janarit në nivel kryenegociatorësh ishte vazhdimësi e ujdisë së arritur në dhjetor të vitit 2024 për Termat e Referencës të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë kryesues të këtyre komisioneve dhe përfaqësojnë shtetet e tyre. Në takimet e radhës të Komisionit, ata do të përfaqësohen nga zëvendësit. Kosovën në këto takime sipas disa paralajmërimeve do duhej ta përfaqësojë Andin Hoti.