Opinionistët vlerësojnë anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes: Fuqizim ndërkombëtar
Foto: Bloomberg

Opinionistët vlerësojnë anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes: Fuqizim ndërkombëtar

Aktuale January 22, 2026 - 22:00

Anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes, iniciativë kjo e nisur nga presidenti Donald Trump, është diskutuar nga opinionistët.

Opinionisti Ilir Deda theksoi se ky zhvillim është lajm shumë i mirë për Kosovën, duke shtuar se është fuqizuar pozicionimi ndërkombëtar i shtetit.

“Ky është lajm shumë i mirë për Kosovën, që ne jemi pjesë e kësaj iniciative. Definitivisht fuqizohet pozicioni ndërkombëtar, sidomos në këtë grupin e shteteve të nënshkruesve të parë, ku gjysma nuk e njeh Kosovën. Është me rëndësi që jemi të barabartë me ta”, tha Deda në Klan Kosova.

Me Dedën është pajtuar edhe Dardan Sejdiu. Ai tha se është e domosdoshme që Kosova të jetë pjesëmarrëse kudo që ftohet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për Kosovën ky është një hap i mirë, është e domosdoshme që Kosova kudo që ftohet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qenë pjesëmarrëse. Ky lajm për Kosovën është jashtëzakonisht i mirë”, tha Sejdiu.

Ndërkohë, opinionisti Rrahman Paçarizi e quajti shqetësuese nënshkrimin e presidentes Vjosa Osmani në Bordin e Paqes.

Sipas tij, shqetësuese është moskonsultimi me akterët politikë në Kosovë.

“Për mua është shqetësuese qysh zonja Osmani, ndoshta ka ndodhur ndonjë takim, por ne nuk kemi parë ndonjë takim me kryeministrin në detyrë, me kryetarin e Kuvendit në detyrë, me përfaqësuesit e partive politike, me trupin diplomatik të Kosovës. Ka disa forume me të cilat zonja Osmani ka mundur të takohej dhe ta diskutonte këtë çështje, shtetet serioze e kanë bërë dhe po e bëjnë këtë gjë”, tha Paçarizi.