Opozitarja bjelloruse merr shembullin e Kosovës për liri e prosperitet

Opozitarja bjelloruse merr shembullin e Kosovës për liri e prosperitet

Aktuale January 22, 2026 - 21:09

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, ka marrë Kosovën si shembull të lirisë dhe prosperitetit, duke vlerësuar rrugëtimin e saj drejt shtetndërtimit.

Në një postim në Twitter, Tsikhanouskaya ka bërë të ditur se ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Ajo ka theksuar se përvoja e Kosovës dëshmon se guximi, qëndrueshmëria dhe solidariteti ndërkombëtar mund të çojnë drejt lirisë dhe zhvillimit, duke shtuar se opozita bjelloruse e vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës për popullin e Bjellorusisë.

Tsikhanouskaya është figura kryesore e opozitës bjelloruse dhe udhëheqësja simbolike e rezistencës kundër regjimit të presidentit Aleksandër Lukashenko.

Ajo u bë e njohur gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, pasi bashkëshorti i saj, Siarhei Tsikhanouski, u arrestua dhe u pengua të kandidojë.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet u manipuluan në favor të Lukashenkos, ndërsa pas tyre shpërthyen protesta masive në mbarë Bjellorusinë.

Pas shtypjes së protestave, Tsikhanouskaya u detyrua të largohej nga vendi dhe që nga ajo kohë vepron nga jashtë, duke përfaqësuar opozitën bjelloruse në arenën ndërkombëtare.

Bjellorusia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.