Shahini për ligjëratën e Speciales: Do merren masa konkrete ndaj personave përgjegjës

Shahini për ligjëratën e Speciales: Do merren masa konkrete ndaj personave përgjegjës

Aktuale January 22, 2026 - 18:47
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë distancohet nga ligjërata për Gjykatën Speciale në një shkollë

Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini ka dhënë një sqarim publik lidhur me raportimet e mbajtjes së një ligjërate nga zyrtarë të Gjykatës Speciale në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Shahini, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se si drejtori, nuk kanë qenë të përfshirë në vendimmarrje për organizimin e këtij aktiviteti në ambientet e shkollës,.

“Lidhur me ligjëratën mbi Gjykatën Speciale të mbajtur në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda”, sqaroj se nuk kemi qenë të përfshirë në vendimmarrje për organizimin e këtij aktiviteti në ambientet e shkollës. Sipas informatave zyrtare të pranuara nga shkolla, aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), ndërsa pëlqimi për mbajtjen e tij është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH), pa përfshirjen dhe pa autorizimin tim personal, si dhe pa miratimin e Drejtorisë së Arsimit në Kryeqytet”, ka shkruar ai.

Pos tjerash, Shahini paralajmëroi masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi.

“Në këtë rast, shpreh indinjatën time për mënyrën se si është vepruar dhe njoftoj se do të merren masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi. Po ashtu, do të trajtohet edhe roli i organizatës në fjalë që ka trajtuar këtë temë me nxënësit e Shkollës së Mesme ‘Xhevdet Doda’”.

Transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale, thotë Shahni, janë parime të panegociueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për nxënësit dhe mjediset shkollore.