Kongresisti amerikan Keith Self ngrit çështjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë

Kongresisti amerikan Keith Self ngrit çështjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë

Aktuale January 21, 2026 - 19:37

Kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, një nismë ligjore që synon të adresojë trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet serbe.

Lajmi është bërë i ditur në rrjetin “X” nga “Albanians for America”, ku thuhet se sot shënohet një moment i rëndësishëm për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Në këtë video, gjatë procedurave zyrtare në Kongresin Amerikan, Anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve trajtojnë shqetësimet e vazhdueshme për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave në Serbinë jugore – çështje që shumë shpesh kanë mbetur jashtë shqyrtimit ndërkombëtar”, thuhet në përshkrimin e videos.

Për këtë ka reaguar, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Ai shprehu mirënjohje për kongresmenin amerikan Keith Self.

Ai tha se si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA miratoi rezolutën H.R. 6411, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Mirënjohje e veçantë për Kongresistin Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij parimor, si dhe për përkrahjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks. Kjo rezolutë tashmë pritet të aprovohet nga vetë Kongresi i SHBA”, shkruan ai.

Sips tij, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Faleminderit të gjithë atyre që nuk u ndalën kurrë. Zëri ynë u dëgjua. Puna jonë dhe ndihma e Qeverisë së RKS për Luginë po shihet”, shkruan ai.