Trumpi fton Osmanin në Bordin e Paqes – Rama: Gjest domethënës për Kosovën dhe marrëdhëniet me SHBA-në
Foto: Laura Hasani

Trumpi fton Osmanin në Bordin e Paqes – Rama: Gjest domethënës për Kosovën dhe marrëdhëniet me SHBA-në

Aktuale January 21, 2026 - 10:57

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për ftesën e marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, Rama e cilëson këtë ftesë si një gjest tejet domethënës ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar.

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që gjithashtu jep një sinjal të rëndësishëm për sigurinë dhe përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë”, shkruan Rama.

Kryeministri shprehet se kjo ftesë lidhet edhe me respektin personal ndaj Presidentes Osmani dhe me rolin e saj në arenën ndërkombëtare, duke shpresuar që spektri politik në Kosovë ta vlerësojë këtë zhvillim si një dorë të shtrirë nga SHBA-ja.

“Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga presidenti i SHBA-së, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkruan Rama.