Garda Kombëtare përgatit kadetët e FSK-së për mbijetesë në kushte dimërore
Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të Gardës Kombëtare është realizuar Trajnimi i Mbijetesës në Kushte Dimërore për kadetët e Qendrës për Studime Universitare.
FSK-ja njoftoi se gjatë trajnimit, pjesëmarrësit janë aftësuar në teknika të avancuara si puna me litarë, repelingu, ngjitja teknike, ofrimi i ndihmës së parë dhe menaxhimi i situatave emergjente.
Po ashtu janë zhvilluar ushtrime praktike të mbijetesës në natyrë, që përfshijnë ndërtimin e strehimoreve, orientimin në terren, ndezjen e zjarrit dhe sigurimin e burimeve jetike.
“Pavarësisht kushteve të ashpra dimërore, kadetët kanë demonstruar disiplinë të lartë, përkushtim dhe qëndrueshmëri fizike e mendore, duke forcuar gatishmërinë për ndërhyrje efektive në operacione reale kërkim-shpëtimi”, thuhet në njoftim. /Zëri