17 vjet nga shpërbërja e TMK-së dhe lindja e FSK-së

17 vjet nga shpërbërja e TMK-së dhe lindja e FSK-së

Aktuale January 20, 2026 - 23:00

Si pasuese të Ushtrisë Çlirimtare, trupat mbrojtëse të Kosovës sot shënojnë 17-vjetorin e shpërbërjes, duke i hapur rrugë Forcës së Sigurisë, që sot hapëron krahas aleatëve më të fuqishëm ndërkombëtarë.

Megjithëkëtë, roli që kjo forcë barti më vete pas përfundimit të luftës në Kosovë, mbetet i një rëndësie jetike për vendin.

Demilitarizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999, bëri që trupat mbrojtëse të vazhdonin rrugëtimin e grave dhe burrave të forcës për liri.

Nga UÇK-ja lindi TMK-ja.

E krijuar me mandat për ndërhyrje emergjente, shumë shpejt TMK u shndërrua në pikënisje drejt ndërtimit të ushtrisë së ardhshme të Kosovës.

E gjithë kjo, hapat e parë i kishte nisur pas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë.

Trupat mbrojtëse të Kosovës ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së përkohshme të Kosovës nën protektoratin e OKB-së, saktësisht misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut.

Në atë kohë, udhëheqësi i parë i TMK-së u emërua gjenerallejtënant Agim Çeku.

Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin e dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për rindërtimin dhe komunitetet, raporton KP-ja.

TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizimit institucional të vendit, që po ndodhte jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Ajo rritej e forcohej, por në kushte jo të mira dhe me paga të ulëta.

Më 2 shkurt 2007, i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, në të cilin parashihej edhe shpërbërja e TKM-së dhe krijimi i një force të re.

Dhe ashtu ndodhi.

Pikërisht, më 20 janar 2009, TMK-ja zyrtarisht u shpërbë që t`i hapte rrugë lindjes së një force të re, krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përgjegjësitë fillestare të Forcës së Sigurisë përcaktonin përballjet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet apo zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

Ishte marsi i 2014-s, kur Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formoheshin Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës, e cila parashihej që t?i mbërrinte kapacitetet që të mund të sigurojë integritetin e Kosovës.

Por katër vjet më vonë, saktësisht më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro, miratoi tri ligjet që e ndryshuan mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, por pa iu ndryshuar emri.

Sot Forca e Sigurisë së Kosovës gjendet në trevjeçarin e fundit të tranzicionit 10 vjeçar, që pritet ta përfundojë në vitin 2028. Kjo bën që FSK të bëhet ushtri me kapacitete të plota. Aktualisht Forca e Republikës është duke kaluar një fazë të jashtëzakonshme të forcimit të kapaciteteve dhe pajisjeve me armatim.

Madje, kjo Forcë është e para në Ballkanin Perëndimor dhe e 13 në botë në ofrimin e sigurisë strategjike të vendit. E kjo është dëshmi e asaj se vajzat dhe djemtë e Ushtrisë së Kosovës janë të gatshëm kurdoherë që të jenë krah vendeve anëtare të NATO-s./rtk