Krasniqi: Procesi i rinumërimit transparent, mospërputhjet janë minimale
Procesi i rinumërimit të të gjitha kutive të votimit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po ecën sipas planit, ndërsa autoritetet e zgjedhjeve synojnë përfundimin e tij deri në fund të muajit janar.
Ky proces konsiderohet si një korrektim i të gjitha gabimeve të mundshme që kanë ndodhur gjatë numërimit fillestar në Qendrat Komunale të Numërimit.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, gjatë një lidhjeje direkte nga QNR për lajmet qendrore në RTK, tha se të gjitha tavolat numëruese, gjithsej 38 sosh janë me stafin e plotë dhe procesi po zhvillohet në mënyrë të rregullt.
Ai shtoi se fillimisht rinumërimi kishte nisur me disa kuti të selektuara në disa komuna, pasi ishin vërejtur mospërputhje, por më pas pasi janë vërejtur mospërputhshmëri të mëdha, sidomos në Prizren, KQZ ka vendosur për rinumërim të plotë.
“Me vetëiniciativë kemi filluar procesin e rinumërimit në disa kuti të selektuara. Më pas, kur kemi konstatuar mospërputhje më të mëdha, siç ishte rasti i Prizrenit, vendosëm që të rinumërohen të gjitha kutitë”, tha Krasniqi, duke theksuar se tani në komunat tjera mospërputhjet janë të vogla dhe kryesisht brenda marzhës së gabimit njerëzor.
Ai theksoi rëndësinë që qytetarët, kandidatët dhe subjektet politike të jenë të sigurt për korrektësinë e procesit: “Është e rëndësishme që qytetarët, kandidatët, subjektet politike dhe publiku në tërësi të jetë i informuar dhe i sigurt se rinumërimi po zhvillohet sipas procedurave dhe rezultatet do të korrigjohen kudo që ka mundur të ndodhë ndonjë gabim”, tha ai.
Krasniqi gjithashtu përmendi se procesi është i plotësisht transparent dhe i mbikëqyrur nga vëzhgues të subjekteve politike, të cilët sipas tij ndihmojnë në identifikimin e çdo problemi të mundshëm gjatë rinumërimit.
Ai tha se tani gabimet e gjetura janë minimale ose pothuajse inekzistente, duke e cilësuar këtë proces edhe edhe si një lloj auditimi të kutive të votimit dhe rezultateve brenda tyre.
Pas përfundimit të rinumërimit, parashikohen edhe afate për shqyrtimin e ankimeve nga palët e interesuara, por sipas Krasniqit, procedurat dhe çështjet që lidhen me ankesat janë të qarta për të gjithë. Ai falënderoi të gjithë vëzhguesit për prezencën dhe kontributin e tyre në sigurimin e një procesi të drejtë dhe transparent./rtk