KESCO: Sistemi elektroenergjetik nën presion nga kushtet e rënda dimërore, kërkohet kursim i energjisë
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar se sistemi elektroenergjetik në Kosovë aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore, si pasojë e temperaturave të ulëta dhe rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike.
Sipas KESCO-s, përdorimi i shtuar i energjisë për ngrohje ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kërkesës, ndërkohë që në periudhat kur prodhimi vendor është i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm.
KESCO thotë se, megjithatë, sigurimi i energjisë nga importi mbetet i kufizuar për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment, transmeton Zeri.info.
KESCO thekson se është vazhdimisht e angazhuar në shfrytëzimin e të gjitha mundësive të disponueshme për sigurimin e energjisë elektrike, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra. Megjithatë, në situata kur nevoja për import është shumë e lartë, përballja me kërkesën paraqet vështirësi të mëdha operative dhe teknike.
Në këtë kontekst, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të përdorin energjinë elektrike me kujdes dhe të ndërmarrin masa konkrete për kursimin e saj, veçanërisht gjatë orëve të pikut. Sipas kompanisë, kursimi i energjisë është i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit të sistemit elektroenergjetik.
KESCO ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve ndaj konsumatorëve dhe, në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet relevante, po punon për të garantuar stabilitetin e sistemit dhe sigurimin e furnizimit me energji elektrike gjatë kësaj periudhe sfiduese. /Zëri