Kurti merr pjesë në panelin “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250” në Shtëpinë e SHBA-së në Davos
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në panelin e diskutimit me temë “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”, i organizuar në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, gjatë diskutimit Kurti theksoi rëndësinë e besimit si shtyllë themelore e shërbimit publik dhe e unitetit shoqëror e shtetëror, duke nënvizuar se optimizmi për të ardhmen buron nga përpjekjet e vazhdueshme dhe angazhimi aktiv i qytetarëve dhe institucioneve, transmeton Zeri.info.
Paneli është pjesë e iniciativës së forumit ekonomik botëror “Komuniteti i Besimit në Veprim”, e cila synon të nxisë bashkëpunim ndërmjet udhëheqësve botërorë për ndërtimin e partneriteteve inovative në fushat e mjedisit, ekonomisë dhe teknologjisë, si dhe për përshpejtimin e bashkëpunimit global në aktualitetin shoqëror. /Zëri
