Hamza paralajmëron zgjedhje të brendshme në PDK
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në këtë subjekt politik, duke i cilësuar ato si një hap të domosdoshëm për forcimin dhe riorganizimin e partisë.
Në një postim në Facebook, Hamza ka theksuar se Kosova ka nevojë për një PDK më të fortë, më të hapur dhe më të organizuar, duke nënvizuar rëndësinë e reformimit të brendshëm dhe aktivizimit të strukturave partiake.
“PDK-ja po hyn në një fazë të re riorganizimi. Zgjedhjet e brendshme, për të cilat sot diskutova edhe me kryetarët e degëve, janë hap i domosdoshëm për forcimin e PDK-së. Ne synojmë më shumë, sepse Kosova ka nevojë për më shumë. Ka nevojë edhe për një PDK më të fortë, më të hapur dhe më të organizuar”, ka shkruar Hamza.
Ai ka shtuar se ky proces kërkon angazhim të vazhdueshëm, degë aktive dhe hapësirë më të madhe për të rinjtë në të gjitha nivelet e partisë, duke e cilësuar këtë qasje si rrugën drejt një PDK-je më afër qytetarëve dhe gjithnjë në shërbim të Kosovës.
“Kjo kërkon punë të vazhdueshme, degë aktive dhe hapësirë më të madhe për të rinjtë, në çdo nivel të partisë. Kjo është rruga për një PDK më afër qytetarëve dhe gjithnjë në shërbim të Kosovës”, ka përfunduar ai.